Michelle Obama fiton zemrat e opinionistëve televizivë me fjalën e vet në Konventë

Postuar në 05 Shtator, 2012 15:40

“Amerika ka nevojë akoma për Barack-un. Nuk jua them këtë si gruaja e tij, as si Zonja e Parë, por si nënë e fëmijëve të mij. Barack-u na duhet edhe katër vjet për të ardhshmen e fëmijëve tanë”. Kuptohet se kush i ka thënë këto fjalë, dhe fjala e saj, dmth e Michelle Obama-s, ishte e tëra e mbushur me fraza të tilla. Dhe çfarë ajo tha në Konventën e demokratëve në Charlotte të Karolinës së Veriut është vlerësuar me superlativa nga komentatorët televizivë, të cilët folën menjëherë pasi ajo mbaroi së foluri. Deri dhe në televizionin Fox News, të njohur për qasjen e vet në përgjithësi konservatore e në veçanti anti-Obama nuk u kursyen lëvdatat. Moderatori i një programi, Chris Wallace e quajti ‘masterful’ (diçka midis ‘mjeshtëror dhe imponues’) interpretimin që ajo i bëri fjalimit të vet. Analisti i këtij televizioni, Brit Hume tha se nuk ka dyshim që zonja Obama “është një grua jashtëzakonisht përshtypjelënëse dhe shumë tërheqëse”. Ai shtoi se “ajo kish më shumë stil, megjithatë, se sa përmbajtje”. Deri dhe Karl Rove, këshilltari më i afërt i Bushit Junior për vite të tëra, ra dakord se fjalimi ishte i kopsitur mirë, sidomos kur ajo foli për momentet personale e intime.

Rachel Maddow, moderatore në televizionin MSNBC, reagoi menjëherë pas frazave të para të Zonjës së Parë me fjalët: “O Zot, çfarë fjalimi!” Steve Schmidt tha se fjalimi ishte “edhe i shkruar, edhe i mbajtur, në mënyrë fantastike”. Reporteri Chuck Todd tha nga terreni se “Michelle Obama e ka sunduar këtë Konventë ashtu si askush nuk e bëri dot në Konventën republikane”.

Anderson Cooper i CNN-it u shpreh në Twitter se “nuk kish parë kurrë një fjalim kaq të bukur të mbajtur nga një Zonjë e Parë”. Wolf Blitzer, po i CNN-it, tha se fjalimi i saj ishte "a grand slam" (term i natyrës sportive që cilëson një fitore të plotë).

Vetëm Ari Fleischer, ish-zëdhënës i administratës së Bushit, u dëgjua në këtë moment të parë të dilte nga kori e të jepte një komente jo pozitiv: “Ca fjalime bien më shumë në sy kur mbahen në një sallë të mbushur me militantë”.

E.G.

Comments

Submitted by Artemis (not verified) on

<p>Bravo Michele, edhe hipokrite edhe e sinqerte kur thua &#39;Amerika ka nevoje per Barack-un...ua them si nene e femijve te mi&#39;</p><p>Kur permend te ardhmen e femijeve te tjere pastaj me siguri qe sycelurit i ke bere te vjellin nga neveria hipokrizise tende.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.