Strategjiku i fundit

Nga informacionet dhe analizat (e pakta) që ka ofruar këto kohë media e Tiranës për shitjen e kompanisë “Albpetrol”, vlejnë të veçohen dy gjëra:
E para, që me vendimet e fundit të qeverisë së vet, Shqipëria ka hequr dorë nga të drejtat e nëntokës dhe mbitokës për sa i përket fushës së hidrokarbureve. Qeveria nuk do ketë më asnjë ndikim në prodhimin dhe rafinimin e naftës; edhe të drejtën për kërkimet në këtë fushë ia ka dhënë “Albpetrolit”; kjo do të thotë që vendimet e së ardhmes për naftën shqiptare do t'i marrë kompania private që do të blejë Albpetrolin.
E dyta, ky privatizim - (cilësohet si privatizimi i fundit strategjik i Shqipërisë) - paralajmëron një betejë të fortë edhe gjeopolitike. Qeveria ka përcaktuar 7 shtatorin si afatin e fundit të ofertave dhe referuar një kronike të TCH, deri tani kanë tërhequr dokumentet 19 kompani, mes tyre dy shoqëri amerikane, “Silk Road Equity” dhe “Thompson Global”, një kompani kineze “GPRO” dhe gjigandi rus “Gazprom”.
Thotë TCH: "…Interesi rus dhe ai kinez duket se kanë sjellë një rritje të ndjeshmërisë së amerikanëve për këtë kompani. Ndoshta është rastësore, por pikërisht përpara hapjes së ofertave për tenderin e “Albpetrol”, në Tiranë ka mbërritur Zv-ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Filip Riker, i cili do të qëndrojë në Shqipëri deri në fund të javës, pra edhe dy ditë pas mbylljes së tenderit. Të enjten, një ditë para tenderit për shitjen e “Albpetrol”, z.Riker pritet të zhvillojë takime me zyrtarët më të lartë të shtetit, mes të cilëve edhe k/ministrin S.Berisha".
Andrea Stefani e Janusz Bugajski janë dy nga analistët që janë përpjekur të tërheqin vëmendjen e publikut mbi përmasën gjeopolitike të këtij privatizimi.
Shkruan Stefani: "Nga Vladimir Lenini te Vladimir Putini? ..Ndërsa betohet për integrim me Europën dhe Perëndimin, qeveria shqiptare është në prag të vendimeve historike që mund të çojnë në një integrim thelbësor ekonomik të Shqipërisë me shtete autokratike si Rusia, dëmtimin e lidhjeve të saj me Perëndimin, si dhe cenimin e integrimit ndërkombëtar të Kosovës. Një i tillë hap është edhe privatizimi i “Albpetrolit”…
Kurse sipas Bugajskit, Shqipëria është bërë një nga shënjestrat e Moskës në Ballkanin Perëndimor.
Shkruan Bugajski: "…Putin nuk e ka fshehur aspak faktin se ai e konsideron kontrollin e karburanteve me bazë fosilet si një mjet kryesor të politikës së jashtme për të rritur staturën gjeopolitike të Rusisë. Vartësia energjetike është një element kyç i strategjisë së Putinit, kur ai i vë drynin një vendi ekonomikisht, korrupton elitat politike dhe ato të biznesit, dhe minon pavarësinë kombëtare…" – A.N.
Më shumë:
TCH: http://www.top-channel.tv/artikull.php?id=241687
Bugajski: http://www.mapo.al/2012/07/31/lidhja-kineze-e-shqiperise/
Add new comment