Një listë notash në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja: Dyzet katra dhe një pesë (!)

Valbona Sulçe, pedagoge dhe ish-gazetare, ka bërë një vëzhgim në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës dhe i ka tërhequr vëmendjen një listë notash e afishuar për vitin e parë, dega spanjisht. Dhe ka parë... dyzet nota 4 dhe vetëm një notë 5! Shkruan Sulçe në të përditshmen Shqiptarja.Com:
“Lënda ishte morfologji shqipe dhe katrat nxinin ne gjithë gjatësinë e rreshtit, më përjashtim të një pese. M'u ndërmend ajo listë e frikshme kur dëgjova para dy ditësh Dekanen e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të ankohej për nivelin e dobët të nxënësve që zgjidhnin këtë fakultet për studimet e tyre të larta. Është një këmbanë që bie cdo vit, por që bie në vesh të shurdhër. Dekania i kërkonte Ministrisë së Arsimit të rishikonte politikat e hyrjes në UT pasi kjo e bjerrte cilësinë e mësimdhënies. Disa vite më parë, një koleg i dekanes Dibra, ish rektori i Universitetit të Vlorës Shaska ndërmori edhe një nismë për të ndaluar nxënësit me mesatare nën 6 që të ndiqnin universitetin dhe pati protesta nga studentët. Pastaj heshtje. Ne vazhdojmë t’i katalogojmë lajmet e kësaj natyre tek dosja: “Shkolla, probleme dhe risi”, dhe harrojmë që këto janë alarme me të cilat duhet të merremi gjatë dhe thellë. Nëse një dekane e fakultetit më të madh në vend që përgatit mësues të gjuhëve të huaja, përkthyes e interpretë, të thotë çdo vit që cilësia e studentëve është e dobët, cfarë pritet për të ndërhyrë dhe rregulluar këtë situatë? Teoria se tregu i punës i rregullon të gjitha duke bërë përzgjedhjen e më të mirëve nuk funksionon në Shqipëri , pasi tregu më i madh këtu është administrata publike dhe dihet si bëhen emërimet në administratë. Sa të kujtohet tregu të bëjë përzgjedhjen, lepurin e kanë tredhur ndërkohë...”
Foto: Duke pritur rezultatin e provimeve të maturës (LSA)
Add new comment