Një gjyqtar i kërcënuar... Dhe një kabllogram "Dajti-Kuliçaj" i Ambasadës Amerikane publikuar një vit më parë

Quhet Ardit Mustafaj, gjyqtari i Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë, të cilit i është caktuar një eskortë mbrojtëse për veten dhe familjen. Mediat njoftuan në edicionet e mbrëmjes se ai ka marrë një letër kërcënuese. Ajo që kuptohet nga raportimet e medias, është se gjyqtari Mustafaj është një nga 5 gjyqtarët e çështjes “shteti kundër Dritan Dajtit”. Dritan Dajti është personi nën gjykim për vrasjen në gusht të 2009-s të 4 policëve gjatë një tentative për ta arrestuar.
Dy nga gjyqtarët e së njëjtës çështje kanë dhënë tashmë dorëheqjen në rrethana të ngjashme të përplasjeve (në sallën e gjyqit ose në mënyra të tjera) me personin që duhet ta gjykojnë dhe ta dënojnë. Nëse jep dorëheqjen dhe gjyqtari Mustafaj, sipas rregullores së gjykatës, trupi gjykues bie. Dhe procesi ndaj D.Dajtit duhet të rinisë ndryshe. Kjo i ka bërë prokurorët të dyshojnë që pas letrës kërcënuese fshihet pikërisht Dajti, kurse publikun të pyesë: si është e mundur që një person i akuzuar për vrasjen e 4 policëve, arrin ta trembë e ta shkërmoqë kësisoj shtetin, madje nga qelia?
Në një klimë ku skandalet nuk kanë të sosur dhe situata e sigurisë fizike dhe rendit është nën kërcënim të përditshëm kujtesa e publikut është e lodhur dhe përgjithësisht e shkurtër, por nëse rishikohen raportimet e një viti më parë, në valën e publikimeve të kabllogrameve Wikileaks, emri i Dritan Dajtit lakohet për një lidhje krejt të veçantë.
Në një kabllogram të klasifikuar “konfidencial” drejtuar DASH-it nga Ambasada Amerikane në Tiranë shkruhej mes të tjerash: “...Jo vetëm që praktikat korruptive të Kuliçajt janë të mirënjohura, por ka gjithashtu zëra se ai mund të jetë përfshorë në skandalin që doli pas arrestimit të Dritan Dajtit në gusht, një figurë kjo e krimit të organizuar, ku Dajti u informua paraprakisht dhe shumë oficerë policie mbetën të vrarë gjatë aksionit... Disa në polici besojnë se Kuliçaj mund ta ketë ndihmuar Dajtin t'u shpëtojë përpjekjeve të tjera për arrestim në të shkuarën. Sipas burimeve nga policia, zyrtarët e lartë të policisë vendosën të veprojnë kundër Dajtit në gusht të këtij viti (2009) për shkak se Kuliçaj nuk gjendej në Shqipëri për momentin dhe supozohej që për këtë shkak nuk kishte mundësi të dekonspironte te Dajti". Ndërkohë që në kabllogram ambasada amerikane shprehet se Burgaj u është përgjigjur shqetësimeve amerikane, duke vërejtur se "Kuliçaj është i lidhur ngushtë me kryeministrin Sali Berisha dhe se çdo përpjekje për ta shkarkuar apo zhvendosur atë duhet të vijë nga zyra e kryeministrit".
Flitet për Agron Kuliçaj, ish-truproje personale e kryeministrit, sot në krye të policisë së shtetit. Pikërisht asaj policie që ka marrë dje në mbrojtje gjyqtarin e kërcënuar... – A.N.
Në foto: Dajti gjatë procesit gjyqësor në Gjykatën e Krimeve të Rënda për vrasjen e 4 policëve në 7 gusht 2009 në Durrës. (LSA)
Add new comment