Një paradoks i “mrekullisë” ekonomike shqiptare

Raporti i fundit i INSTAT-it mbi punësimin na bën me dije se, në fund të tremujorit të dytë të këtij viti, ishin gjithsej 933,263 të punësuar në Shqipëri, ose 30 më pak se tremujori paraardhës. Duke gërmuar në shifrat e INSTAT-it, konstatojmë se numri total i të punësuarve në fund të vitit 2005 ishte 932,102, ose vetëm 1,161 më pak se në qershor 2012.
Bazuar në të dhënat e INSTAT-it për popullsinë mesatare vjetore sipas grupmoshave në periudhën 2001-2010, i bie që duhet të ishin hapur neto rreth 25 mijë vende të reja pune në vit, për të punësuar të rinjtë që i bashkohen çdo vit forcave të punës (termi vende neto pune nënkupton zbritjen e numrit të atyre që dalin në pension).
Pra, që punësimi të ndiqte ritmet e rritjes së popullsisë, do të duhej që numri i të punësuarve sot të kishte arritur të paktën në nivelin 1.11 milion, ndërkohë që sipas vetë INSTAT-it është vetëm 0.93 milion.
Ç’të ketë ndodhur vallë? Nga njëra anë, INSTAT-i na thotë se se ekonomia është rritur çdo vit me shifra mahnitëse dhe, nga ana tjetër, na thotë se punësimi ka mbetur shumë, shumë mbrapa rritjes natyrale të popullsisë….
INSTAT: Tabela e punësimit për tremujorin e fundit: http://www.instat.gov.al/graphics/doc/tabelat/Fp/3_mujori_II_2012/t1.xls
INSTAT: Tabela e punësimit ndër vite: http://www.instat.gov.al/graphics/doc/tabelat/Treguesit%20Sociale/Punesimi/PUN%202011/t1.xls
INSTAT: Tabela e popullsisë mesatare vjetore sipas grupmoshave, 2001-2010: http://www.instat.gov.al/graphics/doc/tabelat/Treguesit%20Sociale/Popullsia/POP%202009/t5.xls
E.Zaloshnja
Add new comment