“Jam në politikë për qytetarët e Kosovës, jo për ju”, iu thotë Pacolli kritikëve të vet, që i kërkojnë dorëheqjen

Postuar në 21 Shtator, 2012 04:18

Behgjet Pacolli është në një moment të vështirë politik. Hamendjet, apo planet, për një koalicion të ri qeverisës mes partisë së Thaçit e partisë së Hardinajt, në qofshin të vërteta, e nxjerrin jashtë loje në këtë legjislaturë. Sikur të mos jetë mjaft ky zhvillim politik, ai është gjendur nën një valë kritikash kohët e fundit. Mes kritikëve, ka dhe një numër opinionistësh të Kosovës, të cilët këto ditë i kanë kërkuar dorëheqjen për shkak të – kështu thuhet në raportimin e Kohës Ditore – implikimit në aferën e hotelit Grand.

Dhe Pacolli ka zgjedhur t’u japë një përgjigje të gjithëve. E bën me anë të një letre të publikuar në profilin e tij në facebook, të cilën ua dërgon miqve të tij. Madje, letra ka për titull një nga ato fraza, me të cilat letrat zakonisht hapen: Të nderuar miqtë e mi.

“Shumica e [shkrimeve, opinioneve, deklarimeve publike kundër meje] kanë qenë me prapavija politike, shantazhuese, kanë pasur karakter destruktiv që dalin jashtë normave të një gazetarie profesionale. Bile ka pasur edhe njerëz të tillë dhe medie të tilla që kanë kërkuar ‘kokën’ time’. Unë atyre iu përgjigjem se po të ishit vetëm ju në pyetje unë menjëherë do të tërhiqesha nga pozita ime, do t’i kthehesha punës dhe familjes time dhe ajo do të më kursente shumë kohë, energji dhe financa, një gjë që e pret familja ime. Por fatmirësisht ata janë vetëm një pikë e vogël në oqean, dhe se qytetarët e Kosovës, miqtë e mi vlejnë për mua shumë dhe për ta unë tani sakrifikoj çdo gjë”, shkruan Pacolli, zv.kryeministër i Kosovës.

Lidhur me çështjen konkrete, atë të hotelit Grand, ai thotë se “u beson organeve të drejtësisë dhe vetëm ato janë kompetente për përgjigjet në pyetjet e mediave”.

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.