Të burgosurit do hyjnë në grevë urie, ndërsa shteti është në grevë urie për vete

Ish të burgosurit politik shqiptarë paralajmërojnë se të martën e 25 shtatorit do të hyjnë në grevë urie. Arsyet tashmë dihen, kjo nuk është greva e parë e urisë e tyre.
Pasi kanë provuar me peticionet, dhe “kanë gjetur heshtjen e qeverisë” siç është prononcuar për mediat kryetari i shoqatës Skënder Tufa, pasi kanë provuar qeset me miell dhe vetëm është shumëfishuar niveli i sigurisë së Kryeministrit, ata kanë vendosur t’i rikthehen përsëri grevës klasike të urisë.
“Ne të burgosurit politikë sjelljes arrogante e indiferente i përgjigjemi në mënyrë demokratike” dhe deklaron (sipas shqiptarja.com) se “Partia në pushtet ka abuzuar me të burgosurit politikë duke përfituar financiarisht e politikisht. Ajo keqpërdori plagët tona dhe më pas i përdhosi dhe i keqtrajtoi dhunshëm fakt që dëshmon se qeveritarët e sotëm janë zbatuesit e vendimeve të Katovicës ose hija më e keqe e diktaturës komuniste”.
Problemi i dëmshpërblimeve duket se është thelluar pas një VKM të Këshillit të Ministrave (14. 5 2011, që sfumon ligjin e Parlamentit që përcaktonte që ata të shlyheshin duke marrë nga 1 këst për vit, duke e shtyrë dëmshpërblimin e tyre për një afat të pacaktuar, “në kundërshtim flagrant me Kushtetutën” sipas shoqatës.
“Qeveria para ca kohësh nxori një ligj që do ta përfitojnë dëmshpërblimin ata të burgosur që janë me kancer, dhe këta me kancer duhet të kalojnë në dorën e 15 mjekëve. Kjo është tallje” tha Tufa gjatë një bisede për TV “A1 Report” ku ndër të tjera hodhi dhe një propozim interesant që “nëse nuk ka para për zhdëmtimin t'i bëjë ato aksionerë në energjitikë”.
Propozimi vjen në kohën kur shteti shqiptar po shet çdo aset të vetin për të mbushur arkën e uritur për cash.
k.c.
Add new comment