Albana Shtylla dhe Denar Biba, dy emrat e PS për në KQZ

Partia Socialiste ka propozuar ditën e sotme 2 emra për në anëtarësinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Selia rozë bëri të ditur se 2 emrat janë Denar Biba dhe Albana Shtylla (në foto), të dy juristë të rinj, i pari me eksperiencë administrative në Gjykatën Kushtetuese, i dukshëm edhe publikisht me artikuj të herëpashershëm, botuar kryesisht tek "Panorama", - kurse e dyta me eksperiencë në drejtime kabinetesh në ministri dhe institucione kushtetuese, së fundmi drejtore kabineti e Avokatit të Popullit.
PS dhe PD kanë të drejtë të propozojnë secila nga dy anëtarë në KQZ, ndërsa dy anëtarët e tjerë (njëra nga secila parti) do të dalin nga PBDNJ-ja si forca e dytë e koalicionit opozitar dhe LSI-ja, si forca e dytë e koalicionit qeverisës.
Anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të shumicës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të grupimit të shumicës. Anëtari i gjashtë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës”, thuhet në germën “ç” të nenit 14 të Kodit.
Add new comment