Familja e Aleks Nikës, letër Fylesë: “Procesi po degjeneron sepse ju nuk i keni dënuar vrasjet e 21 janarit”

Xhaxhai i Aleks Nikës një nga viktimat e 21 janarit (është i vetmi nga familjarët e viktimave të asaj dite që vijon të shfaqet rregullisht me letra e denoncime në media) i ka dërguar një letër të hapur Komisionerit të BE-së për Zgjerimin në Bruksel, Stefan Fule, ku shkruan se BE dhe SHBA ende nuk e kanë njohur si duhet atë që ndodhi në 21 janar dhe kjo është një nga arsyet sipas tij që procesi gjyqësor po degjeneron.
Shkruan Nika: Shqetësimi ynë i madh si familje është se si rezultat i presioneve me karakter politik dhe duke pasur parasysh politizimin, dobësitë dhe nënshtrimin kronik të gjyqtarëve ndaj ekzekutivit, procesi i 21 janarit rrezikon seriozisht të degradojë si një farsë pa fajtorë, duke i lënë një pjesë të veprave penale pa autorë dhe duke i trajtuar të vrarët dhe të plagosurit si mish për top.... Duke ua bërë me dije këtë shqetësim të madh, që nuk mund të jetë vetëm familjes sime, me lejoni t’ju them zoti Komisioner, se guximi i qeverisë së Tiranës për të penguar hetimin normal të vrasjeve të 21 janarit, për të fshehur pastaj provat e krimit dhe për të shkelur me këmbë drejtësinë vjen edhe nga fakti se Ju, Europa, nuk i keni dënuar me force vrasjet e 21 janarit në Shqipëri, siç keni bërë me vrasjet e protestuesve në vendet arabe. Vrasjet e civileve nga qeveria janë kudo të dënueshme, por këto të Shqipërisë me 21 janar janë dyfish të dënueshme sepse Shqipëria ka një Kushtetutë demokratike dhe qeveria e saj, ndryshe nga ato arabe, pretendon se ishte demokratike. Me lejoni t’ju shpreh opinionin tim se 21 janari nuk është njohur siç duhet nga Europa dhe SHBA. Për rrjedhim nuk është dënuar siç duhet prej tyre. Unë jam jurist në profesion dhe e di se drejtësia është përpjesëtim. Janë dënuar dhjetëra protestues që u konfrontuan me policinë atë ditë, duke përdorur çadra apo duke hedhur gurë. Le të marrë dënimin sipas ligjit kushdo që ka bërë shkelje. Por vrasjet janë të pakthyeshme. Vrasjet nga Garda dhe kundravajtjet nga një pakicë protestuesish nuk mund të futen në një thes. Zoti Komisioner për Zgjerimin, duke ju shkruar sa më lart, unë denoncoj para jush dhe para Europës vrasjen politike të nipit tim me 21 janar në Tiranë. Përgjigjen ia lë koshiencës suaj dhe Europës që përfaqësoni...”.
Më shumë:
http://www.gazetatema.net/web/2012/09/28/shqiperia-evropiane...
Add new comment