A e ka kuptuar ambasadori Sequi, Kadarenë?

Pyetjen e bën Andrea Stefani në analizën e tij të botuar sot në të përditshmen SHQIP. Stefani që është ndoshta pena më kritike me ndërkombëtarët në Tiranë (një javë më parë në një intervistë deklaroi se disa prej tyre janë madje të korruptuar) thotë fillimisht se është me rëndësi që këtë herë alarmet për humbjen e shanseve të demokracisë dhe krejt shpresës së europianizimit të Shqipërisë, kanë mbërritur tek ambasadori i BE-së nga goja e shkrimtarit më të shquar të letrave shqipe.
"Në një kreshendo të arsyetimit, Kadare e përmbyll kështu bashkëbisedimin: “Shqipëria ka probleme të rënda e serioze. Probleme të demokracisë, të pavarësisë së institucioneve, të drejtësisë, të korrupsionit, të votës së lirë, pa folur pastaj për varfërinë e gjer te masakra e mjedisit”. Dhe po sipas shkrimtarit të madh, bashkëbisedimi në fjalë “jep alarmin për to, kërkon zgjidhje edhe më të ngutshme për secilën prej tyre”. Ky është alarmi dhe ankthi i Kadaresë ndërsa shfaqet i ndërgjegjshëm se “Shqipërisë i duhet të luftojë përpjekjet për ndryshimin e orientimit europian, që shfaqen sot, si rrezik madhor në jetën e saj”, - përmbledh Stefani dhe shtron pyetjen: "A do të mjaftojnë fjalët e shkrimtarit të shquar që ambasadori Sequi dhe të tjerë misionarë të Perëndimit në Tiranë, ta ndjejnë thellë si ai rrezikun madhor që kërcënon shansin e rikthimit të Shqipërisë në gjirin e familjes së saj të natyrshme europiane?"
Për Stefanin, zërat e tjerë nuk kanë mjaftuar. "Sepse në median shqiptare ka vite që kritikohet një qëndrim thuajse i verbër i ndërkombëtarëve, që jo vetëm kanë toleruar, por madje kanë duartrokitur reforma dhe aksione politike që nuk shtyjnë për nga europianizimi, por bëjnë të kundërtën, - shkruan ai dhe përmbyll:
"Kadare i thotë ambasadorit Sequi: Kemi nevojë për ju! Kjo do të thotë: Kemi nevojë për ju që të kompensoni “trysninë pozitive” që na mungon! Kemi nevojë për ju që të kompensojmë mungesën e arbitrave institucionalë! Kemi nevojë që të mbjellim institucionalisht në shpirtin e shqiptarit vlerat e Perëndimit! Kemi nevojë që të na e mbani dorën kur e ngremë grusht që të rrënojmë në Kushtetutë dhe në shtet, në letër dhe në realitet, themelin e demokracisë që është ndarja dhe baraspeshimi i pushteteve! Kemi nevojë për atë “trysninë e ashpër” europiane dhe jo për raporte rozë që pohojnë vit pas viti, se Shqipëria po progreson drejt Europës pa e arritur kurrë atë. Si në paradoksin e Zenonit të Akilit me breshkën. Na duket se këtë ka dashur t’i komunikojë Kadare ambasadorit Sequi në bashkëbisedimin e tyre vërtet interesat. A ia ka arritur vallë? Përgjigjja i takon vetë ambasadorit Sequi. Dhe jo thjesht vetëm me fjalë..." - A.N.
Add new comment