Me ndryshimet në SHISH, ka gjasa të zhduket dosja për të cilën flet Fatos Klosi?

Postuar në 08 Tetor, 2012 13:19

Me ndryshimet në SHISH, ka gjasa të zhduket dosja për të cilën flet Fatos Klosi?
Në revistën JAVA u publikua këtë fundjavë një deklaratë bombë e ish-kreut të SHISH-it Fatos Klosi: Shërbimi Informativ ka përgjuar bisedat e Berishës nga numri fiks i sekretarisë së zyrës së tij në PD në 14 shtator 1998. Një vendim i fshehtë gjykate, në një kohë të jashtëzakonshme dhe delikate i kishte hapur rrugë “uljes së fishave” në telefonin e zyrës së drejtuesit të PD-së.

Shkruan Lorenc Vangjeli në JAVA: "Kjo ndodhte në shtator 1998. Tirana sapo kishte shmangur një tentativë për grusht shteti, selia e PD-së ishte në dorë të njerëzve të armatosur, militantë besnikë të saj, në oborr ishte stacionuar me tytë drejtuar nga Ministria e Brendshme një tank model T 54, pronë e gardës së republikës. Ishte përcjellë në varreza deputeti i ndjerë Azem Hajdari, ndërsa godina e Këshillit të Ministrave, Kryesia e Kuvendit dhe Radio Televizioni Shqiptar kishin rënë për disa orë në duart e protestuesve të armatosur që kishin shpallur madje dhe rrëzimin e qeverisë Nano.  SHISH-i i Klosit kishte ngritur një bërthamë hetimi dhe mbledhjeje informacioni për të kuptuar se çfarë do të ndodhte në të nesërmen e afërt. Një nga elementët e mbledhjes së informacionit ishte dhe përgjimi i telefonit të sekretarisë së zotit Berisha..."
Më pas jep dëshminë e vetë Klosit:  “U bë me vendim gjykate dhe ka zgjatur pak ditë. Se çfarë është komunikuar në atë telefon është e dokumentuar dhe e arkivuar. Mund t’ju them vetëm një detaj. Ka pasur një korrespondencë të Berishës me një person enigmatik që ndodhej në SHBA. Flisnin në anglisht dhe nga aksenti, por dhe nga veprime e verifikime e analiza të tjera, gjykonim se ai ishte shqiptar nga Mali i Zi, atëherë pjesë e federatës Serbi-Mal i Zi. Në një nga nga këto biseda, tre apo katër ditë mbas 14 shtatorit, ai i tha Berishës me ton urdhërues: Mjaft tani, mbylle këtë muhabet! Dhe ai “muhabeti”, domethënë, rebelimi i armatosur në e nga PD-ja, u mbyll
Klosi nuk zgjatet më tej. Nuk thotë se cili ishte personazhi misterioz që fliste nga Teksasi, nuk thotë nëse u hetua se çfarë lidhjeje kishte Berisha me të. "14 vjet më pas, këto janë pyetje pa përgjigje, të cilat ngrejnë pikpyetje të tjera edhe më të rënda të llojit, po kontrollorin, kush e kontrollon?" - shkruan Vangjeli, info-analizës së të cilit, mund t'i shtohet edhe një pyetje tjetër tashmë: Me ndryshimet në SHISH, ka gjasa të zhduken dosje si këto për të cilat flet Fatos Klosi? - A.N.

 

Më shumë: http://revistajava.al/kryesore/2012108/keshtu-pergjonim-sali...

Foto e agjensisë Corbis e 15 shtatorit 1998 botuar me diciturën: Coup d'etat fails in Tirana

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.