Basha ka të drejtë për kazinotë; por një dreq e di ku e gjen të drejtën t'u mbyllë derën e bashkisë këshilltarëve socialistë

Në Këshillin bashkiak të Tiranës është votuar vendimi për taksën e përkohshme për lojrat e fatit. Është fjala për një taksë të përkohshme mbi kazinotë e Tiranës, e cila synon shkurajimin e këtij biznesi në qendër të Tiranës, apo rrotull qendrës. “Nuk duam të penalizojmë askënd. Thjesht duam të zgjidhim një problem, dhe problemi është shtrirja e paprecedent e lojrave të fatit në lagjet e qytetit tonë. Sot ka afro 10 kazino për minibashki, dhe i bie që numri i kazinove të jetë më i lartë se numri i shërbimeve të tjera jetike për qytetarët”, është shprehur Lulzim Basha.
Ka shumë zëra që e kritikojnë këtë vendim, ngaqë “është marrë nën presionin e interesave okulte”. Mirëpo, vendimi duket i drejtë. “Interesat okulte” janë ende të palexueshme, ndërsa “qyteti i pushtuar nga kazinotë” është një gjë që lexohet që larg e nga kushdo. E prandaj, ky është një vendim që duhet mbështetur.
Opozita ka qenë kundër? Jo, për fat të mirë s’ka qenë kundër, s’ka gjë se një numër gazetash e kishin lënë të nënkuptuar këtë gjë nën tituj të llojit “Kazinotë, opozita bojkoton”. “Ne duam të mbyllen jo vetëm ato që janë me leje, por edhe nja 400 të tjera që janë pa leje”, e ka bërë të qartë Aldrin Dalipi në emër të PS-së. Po pse nuk e kanë votuar? Debati ka qenë për dy ngjarje të tjera, për të cilat fajtori është një dhe vetëm një person, dhe e ka emrin Lulzim Basha: 1. Kish tre muaj që këshilli bashkiak nuk ish mbledhur në një kohë që duhet të mblidhet të paktën një herë në muaj; dhe 2. Një muaj më parë, në mënyrë të paprecedent këshilltarët socialistë nuk janë lejuar të hyjnë për mbledhje në bashki, në një kohë – kështu thotë dhe Shezai Rrokaj i LSI-së – që askush nuk ka të drejtë të pengojë këshilltarët të hyjnë në bashki. Socialistët kanë dashur të ndalojnë në këto momente, e t’i sqarojnë, por kryebashkiaku e ka injoruar këtë kërkesë të tyre me idenë se “socialistët nuk dëgjojnë zërin e qytetarëve, por mbrojnë interesat e tyre të lidhura me kazinotë”. Është stili i ustait të tij për t’u ikur argumentave e çështjeve të shtruara për diskutim. M.N.
FOTO LSA: Momentet e votimit dje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku me 28 vota pro është vendosur pro transferimit të lojërave të fatit dhe kazinove pranë ish-Uzinës Traktori në periferi të Tiranës.
Comments
Se mos gabon ndonjehere
<p>Se mos gabon ndonjehere opozita sipas teje o Muc qe te gaboj sot....</p>
Add new comment