Kur gjykata reagon "me shpejtësinë e dritës"

Postuar në 12 Tetor, 2012 10:35

Organizata ndërkombëtare e gazetarëve Reporterët pa Kufij shfaqi shqetësim për "shpejtësinë e pazakontë" të gjyqësorit të Kosovës lidhur me një padi të kompanisë private “Pejton” kundër gazetares dhe zv.kryeredaktores së gazetës Zëri. Këtë deklaratë e boton sot në mediat kosovare Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Kosovës (AGPK). Në artikullin e saj, botuar me 2 prill të vitit 2012, gazetarja Xharra ka shkruar mbi marrëveshjet e pronarit të kompanisë Pejton, Bejtush Zhugolli (dhe dy vëllezërve të tij) me kryeministrin Hashim Thaçi. Xharra, bazuar në investigime për korrupsionin dhe raportet e prokurimit, ka shkruar se tre vëllezërit Zhugolli kanë financuar fushatën e kryeministrit, dhe Thaçi ua ka kthyer "nderin" me një tender 70 milionë euro në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Më pak se një javë pas publikimit të artikullit, Bejtush Zhugolli e ka paditur autoren dhe gazetën duke kërkuar kompensim financiar prej 700 mijë euro. "Rasti u procedua me shpejtësinë e dritës, gjë shumë e pazakontë për sistemin gjyqësor në Kosovë - shkruan Koha Ditore. Madje, Zhugolli ka paditur edhe gazetaren Selvije Bajrami të “Zërit” që thjesht raportoi seancën gjyqësore në fjalë duke kërkuar prej saj kompensim prej 300 mijë euro (!).
Reporterët pa Kufij e dënojnë rastin me terma të forta: “Ne shprehim mbështetjen tonë të plotë për Arbana Xharrën. Ajo e ka bazuar artikullin e saj në raporte të pavarura dhe të dhëna publike. Me sa ne dimë, Bejtush Zhugolli kurrë nuk ka filluar procedura kundër këtyre burimeve” - citohet deklarata. Xharra ka fituar disa çmime për artikuj kundër korrupsionit nga UNDP (tre vjet radhazi 2006-2008). K.C.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.