Absolutisht do respektohet, absolutisht do garantohet, absolutisht do sigurohet...

Postuar në 12 Tetor, 2012 15:48

"Unë dua të them këtu se sigurimi i grevës dhe i kushteve të saj, në rastin e dytë, ka qenë jo në lartësinë e duhur... Absolutisht ajo do të respektohet dhe gjëja që do të bëhet është se ata do të sigurohen më mirë, absolutisht  siguria e tyre do garantohet..."

Kush kishte pyetje se çfarë ka patur parasysh kryeministri me "garancitë absolute" për "sigurim të grevës" - (deklarata u bë gjatë takimit me amb.Sequi dy ditë më parë) e ka marrë përgjigjen sot pasdite. U duk se situata u qetësua disi pas një takimi mes presidentit dhe një përfaqësie të grevistëve (me ndërmjetësinë e ndërkombëtarëve se ndryshe nuk bëhej) - por në orët e pasdites tensioni u rrit skajshëm.

"Sigurimi" numër 1:  Mediat citojnë Skënder Tufën, koordinatorin e grevës: "Kemi patur incidente me policët këtu, grevistët janë keqtrajtuar në disa raste edhe fizikisht, na kanë hequr të gjitha lëngjet... Të vijë një përfaqësues i Avokatit të Popullit dhe të shohë se çfarë po bën policia. Me këtë sjellje të policisë, ne do shpallim grevën e vdekjes. Do heqim ujin dhe do vdesim”.

"Sigurimi" numër 2:  Pas incidentit, organizatorët e grevës, i janë drejtuar ambasadës amerikane për ndihmë. Pas takimit në ambasadën amerikane, dy organizatorët e grevës nuk janë lejuar sërish të hyjnë në ambjentet e ku po mbahet ajo.

Pjesa tjetër e kronikave të mbrëmjes lidhur me grevën që po hyn në ditën e saj të 22 flet për dy të vetëflijuarit, Gjergj Ndreca e Lirak Bejko: i pari është nisur për kurim të specializuar drejt Greqisë, i dyti drejt një klinike të specializuar në Romë. Transporti dhe kurimi i Ndrecës e Bejkos janë organizuar dhe mbuluar nga opozita në Tiranë me angazhimin e drejtpërdrejtë të Edi Ramës, i cili në mbrëmje u nisi një letër falënderimi autoriteteve greke dhe italiane. - A.N.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.