Tension dhe lodhje në çadrat e grevës së urisë

Lodhja nervore si dhe presioni me tezat “greva është politike” duket kanë bërë punën e vet. Televizioni Ora News raporton se një nga kordinatorët e grevës (janë dy të tillë, të cilët nuk janë pjesëmarrës direkt, por koordinojnë takimet dhe deklaratat) - ka patur disa debate me ish-të përndjekurit brenda grevës dhe ka njoftuar mediat se heq dorë nga roli i tij: “Dorëheqja ime vjen pasi më thanë se kam bërë deklarata politike. Unë kam mbajtur peshën e kësaj greve dhe akuzat ndaj meje janë të padrejta” tha Asllan Patrioti, sipas Ora News.
Televizioni TCH raporton se ai është rikthyer disa orë më pas: "Gjatë pasdites pati një problem me Asllan Patriotin, koordinatorin e grevës, i cili pasi dha dorëheqjen, u rikthye pas kërkesës së grevistëve - lexohet në faqen online të TCH. Sipas Ora News, edhe një grevist me emrin Arif Beu ka lënë grevën në ditën e 22 të saj për arsye familjare (vajza e tij është e sëmurë - saktëson TCH).
Edhe agjensia e lajmeve Balkanweb citon grevistin Fatmir Lamaj që thotë se se Patrioti dhe Skënder Tufa mbeten koordinatorë të grevës së urisë së ish-të burgosurve politike. “Kemi 22 ditë në grevë, pa bukë, dje ndalëm ujin. Jemi lodhur, ndaj Asllani u nxitua. Etja dhe uria bën të vetën. Ata mbeten shokët tanë”. Koordinatori tjetër, Skënder Tufa kërkoi sot që greva t'i rikthehej normalitetit, pra të rikthehej konsumi i ujit. "Kjo ditë u bë edhe më e vështirë pas vendimit ekstrem që morën pasditen e djeshme, për të mos konsumuar as ujin. Vendimi i tyre erdhi si pasojë e ndërhyrjes së policisë në tendë duke u larguar pijet. 24-orë nga vendimi i shpalljes së grevës së vdekjes, 12 grevistët iu rikthyen konsumimit të ujit, pasi e kanë të nevojshmë për ilaçet që konsumojnë" - raporton Balkanweb. Në mediat vizive janë transmetuar sot edhe kronika solidariteti të ish- të burgosurve politikë nga disa rrethe të vendit, ndërsa në shtypin e ditës gjeje përpjekje për të analizuar shkaqet e mungesës së solidaritetit masiv qytetar. k.c.
Add new comment