Statusi me kushte ndihmon Berishën jo Shqipërinë, - thotë Gjinushi dhe akuzon rëndshëm ambasadorët për 21 janarin

Skënder Gjinushi mendon se statusi me kushte që iu dha Shqipërisë është një vendim për të ndihmuar Berishën. Thotë Gjinushi në një intervistë me gazetarin Lorenc Vangjeli në të përditshmen JAVA: "Eshtë lehtësisht e kuptueshme dhe të gjithë e kuptojnë se ky është një vendim politik për të ndihmuar qeverinë dhe jo Shqipërinë. Mjafton të shihet fakti se për dy vjet rresht kishim kushte për marrjen e statusit dhe tani kemi status me kushte. Statusi real parakupton arritje standartesh për shqiptarët, ndërsa një një status pa standarte të tilla, një status kur situata reale për shqiptarët është shumë më keq se një vit më parë, është fshehje e të vërtetës dhe një alibi e dëshpëruar për qeverinë".
Dhe vijon të vendosë në shënjestër sjelljen e ndërkombëtarëve të Tiranës, sidomos pas 21 janarit: "Në mënyrë absolute, deformimi më i madh dhe më skandaloz që i është bërë mjeteve dhe praktikave demokratike në Shqipëri, është trajtimi i 21 Janarit. Në asnjë vend demokratik nuk mund të justifikohen vrasje si ato të 21 Janarit. Në asnjë vend demokratik nuk mund të legjitimohet përdorimi i armëve ndaj protestuesve të opozitës, në asnjë vend demokratik, mbas një krimi të tillë shtetëror, nuk mund të kërkohet ndalja e protestave. E kundërta duhet të ndodhte dhe është në natyrën e demokracisë: duhet të ndodhte largimi dhe gjykimi i menjëhershëm i qeverisë dhe përgjegjësve politikë të kësaj vrasjeje politike. Fatkeqësisht, post 21 Janari, dëshmoi standartin e dyfishtë që kanë disa emisarë evropianë ndaj jetës dhe lirive të shqiptarëve, në krahasim me ato të popujve të tyre. Madje edhe në raport me popujt e Afrikës veriore. Ish-Presidenti francez Sarkozi deklaronte atëherë se kudo në vendet demokratike ka dhunë e eksese gjatë protestave, por përdorimi i armëve të zjarrit me plumba luftarakë është i papranueshëm. Dhe ky është standart. Kurse tek ne, u pranua një akt i tillë kriminal dhe qeveria edhe sot vazhdon të kërcënojë e të vrasë me benzinë. Eshtë alogjike; e gjithë Evropa dënoi vrasjet qeveritare që ndodhën në vendet arabe dhe mbështeti protestat, kurse në Tiranë, përfaqësues zyrtarë të Evropës dënuan dhunën e protestuesve dhe mbështetën qeverinë që vrau..."
Në foto: Gjinushi duke hyre ne nje seance parlamentare. Përbri, ish-ministri i brendshëm i 21 janarit Lulzim Basha (LSA)
Add new comment