Basha fton Ramën të vijë të luajë basketboll... te një fushë që do të bëhet pas 6 muajsh

Siç raporton Panorama e sotme, Kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha i ka lëshuar një kunj të vogël paraardhësit të tij në Bashki, ndërsa promovonte projektin e rikualifikimit urban të zonës 61 (zona te Oxhaku, pas poliklinikës e deri te Porcelani). Ky rikualifikim parashikon krijimin e hapësirave të gjelbërta, krijimin e këndeve të lojërave me një fond prej 18.6 milionë lekësh. Mësohet që Basha ka ftuar “ish-Kryetarin e Bashkisë që të vijë e të bëjë një ndeshje basketbolli në fushat e reja që do të ndërtohen, me standarte të reja, standarte evropiane” Batuta, do të ishte interesante në kushtet e përurimit të një fushe basketbolli e duke pasur parasysh që Rama kur i ndërtonte vetë i pëlqente të bënte dhe ndonjë kosh, por, çudia qendron që fusha e standarteve europiane nuk është akoma e ndërtuar, pra, për momentin është vetëm në letër, dhe përfundimi i saj pritet të ndodhë pas 6 muajsh.
Në projekt parashikohet edhe vendosja e dy kabinave info-point, për informim dixhital të banorëve që për momentin informohen vetëm përmes pikave të basteve. K.C.
Add new comment