Sjellja me eshtrat e Kaçorrit një befasi e madhe – thotë Rrok Mirdita dhe shton: Jam kundër shkishërimit për gjakmarrësit

Postuar në 30 Tetor, 2012 08:58

“Ka qenë befasimi më i madh në këto vite që unë kam qenë në Shqipëri. Nuk ishte aspak dinjitoze dhe nuk dua të gjej fajin, sepse thonë se faji është jetim. Unë jam gjetur përpara një fakti të kryer në këtë rast dhe jam njoftuar vetëm momentet e fundit. Jam informuar për ardhjen e eshtrave të tij vetëm një ditë më parë. Kisha menduar se do të kishte një ceremoni të madhe, ashtu siç ndodhi dhe kisha parë në përcjelljen e At Zef Pëllumbit. Nuk dua të hyj në detaj por kjo ka qenë një befasi e madhe për mua...”

Kështu e ka komentuar Rrok Mirdita në një intervistë për emisionin “Arena” të Roland Qafokut, incidentin me eshtrat e Dom Nikoll Kaçorrit klerik, politikan dhe atdhetar shqiptar, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Zëvëndës Kryeministër i parë i Shqipërisë në kabinetin e Ismail Qemalit.

Eshtrat e Kaçorrit janë ekshumuar më 1 shkurt 2011, në Vjenë të Austrisë. Më 6 shkurt në Vjenë u mbajt meshë përkujtimore, ndërsa më 9 shkurt eshtrat u përcollën drejt Shqipërisë. Në Rinas nënkryetari i qeverisë së Vlorës nuk është pritur nga asnjë qeveritar shqiptar; as nga ndonjë i rangut më të ulët. Madje mediat raportuan se në Rinas nuk kishte asnjë shenjë protokolli qeveritar dhe zyra e protokollit nuk ka lejuar të afrohet as makina pranë avionit. Kësisoj eshtrat janë transportuar me një karrocë mallrash (në foto).

Në emisionin e sipërcituar është prekur edhe tema e dekretit për shkishërimin e atyre që vrasin për gjakmarrje dhe Mirdita tha: “Unë jam për kishërimin dhe jo shkishërimin e tyre. Nismëtare port shkishërim është Metropolia e Shkodrës se bashku me ipeshkvin e Vau të dejës dhe Lezhës. Shqipëria është e ndarë nga ana e administrative nga dy metropoli, ajo e Shkodrës dhe e Tiranë Durrës. Në dekret është e përfshirë vetëm metropolia e Shkodrës. Unë nuk jam iniciator dhe nuk jam as mbështetës i këtij dekreti...” A.N.

Comments

Submitted by Baku (not verified) on

<p>Simbas Imzot Rrokut : Vraj ne Shkoder e shko e shif meshe ne Durres!</p><p>&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.