Fjala “votë” dhe togfjalëshi “zgjedhjet 2013”, termat më të lakuar gjatë deklarimeve të sotme

“Nuk do të mungojë kurrë mbështetja e palëkundur e shqiptarëve dhe e çdo qeverie shqiptare për çdo mision ushtarak apo paqeruajtës të Shteteve të Bashkuara në betejën natyrale të tyre për një botë të lirë dhe demokratike në mbarë globin. Unë e garantova Sekretaren e Shtetit se në qeveri ne do vazhdojmë ta luajmë me krenari rolin që na takon, krahë për krahë me Shtetet e Bashkuara, kudo që aleancën e lirisë ta thërrasë nevoja nëpër botë. Nga ana tjetër nënvizova në bisedën me Sekretaren Klinton domosdoshmërinë që Shqipëria të ngrihet në lartësinë e kësaj miqësie të madhe dhe partneriteti strategjik, edhe kur është fjala për të jetësuar këtu në vendin tonë, për të mirën e të gjithë popullit shqiptar e të gjeneratave që vijnë, vlerat dhe parimet që Shtetet e Bashkuara mishërojnë dhe promovojnë kudo në botë”
Sa më sipër është pjesë nga fjala e liderit të opozitës pas takimit më sekretaren amerikane të shtetit. Bie në sy që Rama thekson faktin që Shqipëria do jetë në krahun e SHBA-ve edhe nëse është fjala për veprime militare. Një nga paragrafët e deklaratës së Ramës ndalet te vota e ndershme në 2013. Fjala “votë” dhe togfjalëshi “zgjedhjet 2013” janë termat më të lakuar gjatë deklarimeve të sotme.
Tha Rama: “Sot shqiptarët kanë nevojë të besojnë tek vota dhe tek mundësia për të vendosur të lirë me votë se kush duhet t’i qeverisë...Ja pse nënvizimi i qartë nga ana e Sekretares së Shtetit, qoftë në mesazhin publik drejtuar parlamentit, qoftë dhe në bisedën tonë të drejtpërdrejtë, për nevojën që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme, si dhe për angazhimin e Shteteve të Bashkuara për ta asistuar popullin shqiptar në përmbushjen e kësaj nevoje jetike, është për mua dhe për opozitën shqiptare një burim i madh besimi se Shqipëria do ia dalë të ndahet qershorin e ardhshëm nga e kaluara shumë problematike e zgjedhjeve...” – Re.Pu.
Add new comment