Cili nga sondazhet e Ohajos është më i saktë?

Gara në shtetin Ohio (lexohet Ohajo) është tejet e rëndësishme për Romney-n; asnjë republikan nuk ka arritur të shkojë në Shtëpinë e Bardhë, pa fituar në këtë shtet. Dhe sondazhi i sotëm i gazetës Columbus Dispatch tregon se Obama është 2 pikë përqindje para Romney-t: 50-48. Por sondazhi i djeshëm i NBC News dhe Wall Street Journal tregonte një epërsi edhe më të madhe për Obamën 51-45.
Duket se Romney-t i jep shpresë sondazhi i sotëm dhe e mbyt fare ai i djeshmi. Por cili prej tyre është më i saktë?
Të dy sondazhet janë kryer me telefon duke filluar nga 1 nëntori, por sondazhi i Columbus Dispatch ka marzh më të vogël gabimi statistikor; plus/minus 2.2 pikë përqindje. Ndërsa sondazhi i NBC News dhe Wall Street Journal ka një marzh plus/ minus 3.1 pikë përqindje.
Përkthyer në gjuhë probabilitare kjo do të thotë se “fotografia” që Columbus Dispatch i ka bërë elektoratit të Ohajos ka probabilitet më të lartë për t’iu afruar rezultatit të 6 nëntorit se sa ajo që ka bërë NBC News dhe Wall Street Journal.
E.Zaloshnja
Add new comment