Po rikthehen vizat?

Postuar në 05 Nëntor, 2012 17:32

Ministrat e Brendshëm dhe ata të Drejtësisë të shteteve të Ballkanit Perëndimor janë këto dy ditë (të hënën e të martën) në Tiranë. Mediat raportojnë se janë mbledhur “mbi problematikën e zbatimit të së drejtës së qarkullimit të shtetasve të tyre pa viza në zonën Schengen të BE-së”. Për takimin po përdoret gjerësisht termi “ministeriali i Tiranës”. Veç ministrave, merr pjesë edhe Komisionerja e BE-së për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, Cecilia Malmström.

Citohet Malmstrom nga televizioni TCH: “Shumë ministra (të brendshëm të vendeve të BE-së) janë të shqetësuar, pasi ka një rritje të azilkërkuesve me 73 përqind, krahasuar kjo me një vit më parë. Kërkesat vijnë nga të gjitha vendet, përfshirë dhe Shqipërinë, dhe kjo është diçka e cila ka shqetësuar shumë pjesëtarë të BE-së... Klauzola e pezullimit të vizave ende nuk ekziston tani për tani. Ajo po negociohet mes ligjvënësve dhe Këshillit të Europës, mendoj se do të vendoset në fund të vitit. Nuk do të ketë ultimatum. Nuk është direkte, vetëm për vendet e Ballkanit perëndimor, është një amendament për të gjitha shtetet në Europë, që përfitojnë nga liberalizimi i vizave, por e shpërdorojnë me azilkërkuesit. Nëse ajo vendoset, do të jetë aktive me bazë individuale dhe pas propozimit të Këshillit, kërkon shumicë të cilësuar në Parlament”.

Kreut të qeverisë shqiptare, Sali Berisha nuk i ka munguar as kësaj here “vendosmëria për përgjigjen më të vendosur”:

“Shfrytëzoj rastin t’i përcjell Komisionit Evropian vendosmërinë tonë për të ndërmarrë çdo hap dhe për t’i dhënë përgjigjen më të vendosur këtij fenomeni. Ne jemi të gatshëm të firmosim çdo marrëveshje për rikthimin në vend të personave që abuzojnë me këtë vendim shumë të rëndësishëm dhe fisnik”,  - deklaroi Berisha sipas TCH. (Re.Pu.)

 

Në foto: Pjesëmarrësit në Ministerialin e Tiranës (LSA)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.