Oketa përmend Lirak Bejkon, Topalli i pret fjalën

Në fillim të seancës së sotme parlamentare, Deputeti Oketa i FRD-së kërkoi të merrte fjalën për të folur në lidhje me vdekjen e ish grevistit Lirak Bejko, i cili nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të rënda të shkaktuara nga akti i vetëdjegies më 10 tetor,në shenjë proteste ndaj heshtjes së qeverisë kundrejt kërkesave të kësaj shtrese. Jozefina Topalli ia ndërpreu fjalën e Oketës, duke deklaruar se ishte jashtë rregullores.
Oketa: Dje u varros Lirak Bejko...
Topalli (ndërhyn e ndërpret fjalën): Jeni jashtë rregullores. Bëni mirë të mësoni rregulloren!
Oketa: Meqë e respektoni shumë rregulloren, na keni dhënë një dokument që është i vështirë për tu kuptuar.
Topalli: Nuk ka pyetje? Prejani (mikrofonin) zotërisë.
Pas kësaj, ministri Spiro Ksera pothuaj e shtyu me forcë Oketën, për t’i liruar vendin në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë.
Pasi doli nga Kuvendi, Deputeti Oketa, para kamerave televizive u shpreh i indinjuar për heqjen e fjalës, të cilën do ta mbante në respekt të Lirak Bejkos, një qytetari që arriti deri në aktin e vetëflijimit për shkak të indiferencës së qeverisë
”Debati kishte të bënte me heqjen e fjalës së një deputeti të Kuvendit. Të jem i sinqertë të mungon dëshira të flasësh në Parlament për vetë mënyrën si është menaxhuar Kuvendi sidomos pas zgjedhjeve të 2009. E kërkova fjalën t’i kërkoja Kuvendit të respektonte kujtimin e Lirak Bejkos, një qytetari që kaloi shumë persekutime para viteve 90 dhe jeta qenka e shkruar që edhe pas ’90-ës në demokracinë shqiptare vazhon të persekutohen. Topalli vazhdon t’i qëndrojë deklaratës se nuk ka asnjë koment për kërkesat dhe grevën e tyre, dhe kur qytetarët shqiptarë në shenjë dëshpërimi arrijnë në akte vetëflijimi që askush nuk do dëshironte. Por politikanët shqiptar më të rëndësishëm se jetën kanë karrigen. Pjesa tjetër është tejet e parëndësishme.... Homazhi i djeshëm dhe komentet e sotme në asnjë mënyrë nuk duhet të politizojnë qëndrimet e ish të përndjekurve, por besoj se Bejko e meritonte të thuheshin disa fjalë për të në Kuvend. Për të dhe ata që kanë bërë shumë për të sjellë demokracinë në Kuvend, pas viteve ’90. Ky ishte qëllimi im dhe pyetjes pse mazhoranca e shmang drejtohuni asaj”- tha Oketa.
Re.Pu.
Add new comment