Për rusët Obama është "djalli që ata e njohin"

Sipas të gjitha llogarive Kremlini po shpresonte në fitoren e presidentit amerikan Barack Obama. Rivali i tij, ish-guvernatori i Masaçusetsit Mitt Romney, pat deklaruar gjatë fushatës se Rusia është “armiku kryesor gjeopolitik” i Shteteve të Bashkuara. Për dallim nga Romney, Obama për Putinin duket më i njohur, më i parashikueshëm dhe më pak i dashuruar në atë që njihet si veçantia amerikane në botë.
Charles Grant, drejtor i Qendrës për Reformat Evropiane në Londër, thotë në VOA: “Kohët e fundit isha në Moskë dhe kam folur me njerëz të ndryshëm në qeveri dhe jashtë saj, të cilët punojnë në botën e politikës së jashtme dhe ata shpresonin në fitoren e Obamës, sepse nga pikëpamja e tyre ai është djalli që ata e njohin. Ata nuk e duan shumë Obamën, ata kanë shumë probleme me të në fusha të caktuara, si në planet e tij për mbrojtjen raketore, por ata e dinë qëndrimin e tij, sikur më tha një anëtar i Dumës ruse, ai e kupton se ne po jetojmë në një botë multipolare”, u shpreh Grant.
Kremlinit iu plotësua dëshira, por a do të thotë kjo, kthim në marrëdhëniet relativisht të ngrohta siç ishin të ashtuquajturat “rivendosje raportesh” të vitit 2009 e 2010. “Rivendosjes, që u disenjua nga Obama me presidentin Dmitry Medvedev, me të vërtetë i ka ardhur fundi. Që kur Putin u bë president për herë të tretë, ai lloj i afrimit të ngushtë midis Uashingtonit dhe Moskës është avulluar. Andaj unë mendoj se do të ketë ftohtësi më të madhe, sesa para fitores së Obamës”, shprehet Grant. (A.N.)
Add new comment