Pas 12 orë bisedime FMN dhe ministrat e BE nuk bien dakord për Greqinë

Zyrtarët e Bashkimit Evropian dështuan të arrijnë një marrëveshje sot për t’i dhënë Greqisë më shumë ndihma, duke zgjatur pasigurinë mbi të ardhmen e vendit të zhytur në borxhe dhe të eurozonës me 17 vende anëtare. Ministrat e eurozonës ndërprenë takimin e tyre në Bruksel në orët e para të mëngjesit dhe vendosën ta rifillojnë atë të hënën e ardhshme.
Bisedimet zgjatën për gati 12 orë, - raportojnë mediat greke. Është ky takimi i dytë rradhazi gjatë së cilit minitrat dështojnë të arrijnë një marrëveshje. Analistët në shtypin europian mendojnë në masë se kjo reflekton hendekun e gjerë të pikëpamjeve mbi mënyrën për ta zgjidhur problemin e borxhit grek.
Nga raportimet kuptohet se ka patur mosmarrëveshje mes ministrave dhe FMN-së për mënyrën e menaxhimit të borxhit grek. Ministrat e eurozonës janë në favor të dhënies kohë Greqisë për të ulur borxhin e saj në 120 përqind të prodhimit të brendshëm bruto nga 176 përqind që parashikohet këtë vit. FMN-ja e ka kundërshtuar një zgjatje të tillë.
Ministrat e financave të eurozonës do të përpiqen përsëri të hënën të arrijnë një marrëveshje mbi mënyrën si do të ndihmohet Greqia. Por parlamentet e disa vendeve duhet më parë ta votojnë këtë masë dhe më pas ministrat e tyre mund të takohen përsëri për këtë çështje. A.N.
Add new comment