Një lëvizje e Ndrekos së Fierit, në qendër të konkluzioneve të Berishës për integrimin

Postuar në 21 Nëntor, 2012 09:05

Kreu i Këshillit të Qarkut, Vangjel Ndreko (në foto), u tërhoq nga një padi që kishte bërë në Gjykatën e Fierit për të gjykuar çështjen në themel. Ndreko tha që kjo çështje duhej të ishte shqyrtuar brenda 30 ditësh, por u shty nga një gjyqtar i quajtur Skënder Domini për një vit, kështu që e ka humbur aktualitetin. Kjo lëvizje ka shkaktuar një polemikë të re në Tiranë.

Berisha, në mbledhjen e qeverisë:Zoti Rama bëri gabimin politik më fatal me bllokimin e 3 ligjeve për statusin, i bllokoi duke përdorur si pretekst një çështje lokale që s’kishte lidhe me statusin. Sot, një ditë pas 20 nëntorit, datë kjo e fiksuar në raportin e Komisionit Europian për votimin e ligjeve që komisioni të bënte raportin për këshillin, Rama bëri një intrigë të turpshme në kurriz të çdo shqiptari, urdhëroi Vangjel Ndrekon të tërhiqet nga padia gjyqësore. Misioni u krye, s’na duhet më gjykimi. Ky është qëndrimi i Ramës ndaj procesit të integrimit. Po ta shohim historinë në këtë 100- vjetor del e vërtetë shprehja e Faik Konicës, ‘Zoti e ruajt Shqipërinë nga Shqiptarët, sado e hidhur që mund të duket…kjo thënie u faktua”.

Mediat citojnë Ndrekon në përgjigje të Berishës:Jam tërhequr pasi kjo është një çështje e mbyllur. Një gjyq që duhej të mbyllej për një muaj për gjykimin në themel të çështjes së Qarkut të Fierit, zvarritet për më shumë se një vit. U tërhoqa për të mos e lënë të ketë një argument të kotë për të folur sa herë do për çështjen e Fierit, duke thënë se çështja është në gjykim. Kryeministri duhet të zbatojë ligjin, duke mos bllokuar listën e këshilltarëve të qarkut përmes prefektit. Nuk ka nevojë për vendime të tjera, janë vendimet e formës së prerë që Berisha nuk i respekton...”.

Një reagim në  Twitter e ka bërë edhe kreu i opozitës, Edi Rama: “Shpifja e ditës e kryeministrit: PS u tërhoq nga Fieri! Jo, PS ka fituar në popull e ne gjykatë me vendim të formës së prerë, të drejtën të drejtojë qarkun. PS s’është tërhequr nga asgjë! Kur nuk njeh vendimet e gjykatave, s’ke si kupton logjikën e proceseve gjyqësore. Pengmarrja e Fierit është një alibi e kryeministrit”. - A.N.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.