Ina Rama do çojë Nishanin në Kushtetuese (nëse firmos - thekson Prokuroria e Përgjithshme)

Postuar në 23 Nëntor, 2012 15:25

Prokuroria e Përgjithshme pritet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim të çështjes që lidhet me përfundimin e mandatit të kreut aktual të këtij institucioni. Burime pranë organit kryesor të akuzës bëjnë me dije se një nismë e tillë do të ndërmerret vetëm nëse presidenti Nishani do të firmosë dekretin për shkarkimin e Ina Ramës. Reagimi i Prokurorisë për NEWS24 vjen një ditë pasi Presidenti i Republikës deklaroi në një intervistë televizive se mandati i Ina Ramës ka përfunduar. Megjithatë burimet zyrtare të prokurorisë bëjnë të ditur se çdo nismë ligjore do të ndërmerret vetëm kur të jetë zyrtarizuar dekreti i shkarkimit nga ana e kreut të shtetit.
Shkruan agjensia BalkanWeb: Edhe pse ministri i Drejtësisë dhe deputetë të mazhorancës kanë deklaruar se duke nisur nga dita e sotme vendi i kryeprokurores është vakant. Ina Rama është paraqitur sot në zyrën e saj duke ushtruar normalisht funksionet e saj kushtetuese. I gjithë debati i referohet ndryshimeve kushtetuese të prillit 2008, ku mandati i kryeprokurores u kufizua në 5 vjet. Ina Rama u emërua në detyrë në 22 nëntor 2007 dhe sipas mazhorancës mandati i saj përfundon fiks pas 5 vjetësh, pra në 22 nëntor të 2012.
Opozita ka deklaruar se ligji nuk mund të ketë fuqi prapa vepruese dhe se mandati i Ina Ramës do të nisë si i kufizuar nga data kur kanë hyrë në fuqi ndryshimet kushtetuese pra në 23 maj të 2008 dhe përfundon në 23 maj të 2013-ës. Ndërkaq asnjë prej palëve nuk i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ndërsa presidenti ka nisur procedurat për emërimin e kryeprokurorit të ri, duke e cilësuar të ezauruar mandatin e Ina Ramës. Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.