Festa më popullore amerikane ka lindur pas polemikash të ashpra politike

Eshtë vështirë të besohet, por festa më e preferuar e amerikanëve ka në burim polemika të ashpra politike. Ky ka qenë rasti në vitin 1789, kur Shtetet e Bashkuara kanë festuar për herë të parë Ditën e Falënderimeve.
Gazeta Wall Street Journal kujton se polemika ka nisur më 25 shtator në Nju Jork, në vendin ku atëherë kishte selinë qeveria. Seanca konstituive e Kongresit të parë ishte gati të përfundojë, kur republikani Elias Boudinot nga Nju Xhërsi është ngritur për të propozuar një rezolutë.
Ai i ka kërkuar Dhomës që të krijojë një komitet të përbashkët me Senatin “ndërsa presidenti i Shteteve të Bashkuara të rekomandojë për popullin amerikan ditën publike të falënderimeve dhe lutjeve”.
Një ditë e falënderimeve, ka thënë ai, do t’iu mundësonte amerikanëve të shprehin mirënjohjen ndaj Zotit për mundësinë që në mënyrë paqësore të krijojnë qeverinë”.
Rezoluta e Boudinot ka shkaktuar debat të fuqishëm, shkruan Wall Street Journal. Republikani Aedanus Burke, nga Karolina e Jugut, ka shprehur kundërshtimet e tij me arsyetimin se falënderimi është shumë evropian. Atij nuk i pëlqente “ky imitim i zakoneve evropiane”.
Republikani Thomas Tudor Tucker, ka shprehur dy kundërshtime të tjera. “Përse presidenti duhet t’i detyrojë njerëzit të bëjnë diçka që ata ndoshta nuk e kanë ndërmend ta bëjnë”, ka pyetur ai. Kundërshtimi i dytë i tij, sipas gazetës, kishte të bënte me ndarjen e kishës dhe shtetit. “Shpallja e Ditës së Falënderimeve është një çështje fetare dhe, si e tillë, ajo na nxjerr jashtë ligjit”, ka thënë Tucker.
Në fund, rezoluta megjithatë ka kaluar – numri i saktë i votave nuk është regjistruar – dhe Dhoma e Përfaqësuesve ka emëruar komitetin. Rezoluta më pastaj është zhvendosur në Senat, ku ka kaluar po ashtu.
Më 3 tetor, kujton gazeta, presidenti George Washington ka proklamuar Ditën e Falënderimeve. Ai ka caktuar të enjten e 26 nëntorit të vitit 1789 si “ditë publike të falënderimeve dhe lutjeve për Zotin, për kujdesin e Tij ndaj popullit të këtij vendi”.
Gazetat kanë publikuar njoftimin dhe festa është kremtuar gjerësisht në mbarë vendin, thuhet në artikull. Njësoj si sot, gjeli i detit dhe byreku me kungull kanë qenë në qendër të tryezave.
Tradita e nisur nga George Washingtoni ka mbijetuar pa polemika të tjera. Qysh nga debati i shtatorit 1789, asnjë anëtar i Kongresit nuk është ankuar se falënderimi është shumë evropian ose shkelje e ndarjes së kishës nga shteti, shkruan Wall Street Journal
Add new comment