Rusia e ve Europën në darë

Postuar në 07 Dhjetor, 2012 03:26

Vladimir Putini do të shkojë personalisht. Për presidentin, i cili e ka shpallur fushë të kompetencave të tij ngjitjen e Rusisë në superfuqi energjitike, kjo e premte (07.12.12) shënohet një arritje tjetër në këtë rrugë. Në afërsi të plazhit të Rusisë së jugut, Anapa, në Detin e Zi, këtë ditë do të ngjiten me saldim tubat e parë të gazsjellësit South-Stream. Linja e furnizimit fillimisht do të kalojë për rreth 900 km nën ujë. Në afërsi të portit bullgar Varna, linja do të dalë mbi tokë. Prej atje, gazi rus do të kalojë përmes Serbisë, Hungarisë dhe Sllovenisë deri në Itali.

Ky projekt që kushton disa miliarda euro mbështetet nga koncerni energjitik rus, Gazprom. Sipas të dhënave zyrtare, projekti do të përfundojë në fund të vitit 2015 dhe do të transportojë atëherë çdo vit 63 miliardë metra kub gaz. Kjo shifër është e krahasueshme me sasinë e gazit, që pompohet aktualisht përmes Ukrainës për në Evropë. Ukraina ka qenë deri tani vendi kryesor tranzit për gazin rus. Përmes tubacioneve të vendosura aty që në kohën e BS, BE ka marrë rreth 80 përqind të eksporteve të gazit nga Rusia.

Por këto kohë kanë kaluar. Strategjia e re e Gazpromit (koncern i kontrolluar nga shteti) është "anashkalimi i vendeve tranzit, me anë të tubacioneve nënujore". Si hap i parë në këtë drejtim, në vitin 2011 u vu në jetë projekti Nord Stream, i cili transporton gaz rus përmes Detit Baltik drejtpërdrejt në Gjermani. Tani me South Stream bëhet një hap i dytë. Në hartë, të dy gazsjellësit duken si një darë, me të cilën Evropa mbahet nën kontroll.

Ukraina nuk përmendet as një herë të vetme në broshurën publicitare të Konsorciumit South Stream. Në të flitet për rrugë të reja "të cilave mund t'u besosh". Vitet e shkuara, dërgimet ruse të gazit për në Evropë u ndërprenë disa herë, sepse Rusia dhe Ukraina u grindën me njëra-tjetrën. - D.V.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.