Mund të bësh çfarë të duash sepse ke shumicën?

Postuar në 12 Dhjetor, 2012 02:03

Hartuesit e projekt-kushtetutës së re egjiptiane kanë krijuar një dokument që ka shqetësuar shumë studiues ligjorë dhe grupe të të drejtave të njeriut. Me një sfidë të mundshme të gjykatës mbi legjitimitetin e veprimit të tyre, hartuesit kryesisht islamikë e miratuan dokumentin në një sesion të jashtëzakonshëm që vazhdoi gjatë gjithë natës në fund të muajit të kaluar. Deputetët liberalë dhe laikë e bojkotuan procesin dhe kritikët e quajtën dokumentin një farsë. Ata dolën në rrugë në shenjë proteste.

Ata janë të shqetësuar se në një referendum të caktuar për të shtunën, shumica në këtë vend me një popullsi që ka devotshmëri ndaj fesë muslimane mund të thotë: "Po." Mustafa el Labbad, drejtor i Qendrës për Studime Rajonale dhe Strategjike thotë në VOA se kushtetuta nuk duhet të lidhet thjesht me shumicën: "Një kushtetutë mund të hartohet, dhe të miratohet bazuar mbi një kompromis nga të gjitha fraksionet dhe të gjitha partitë. Nuk mendoj se duke patur një shumicë të thjeshtë, mund të bësh çfarë të duash."

Drejtoresha e organizatës Human Rights Watch në Egjipt Heba Morayef kundërshton dispozitat që i japin qeverisë të drejtën e mbikëqyrjes së moralit dhe jetës familjare. "Teksti lejon që qeveria të ndërhyjë dhe të kufizojë të drejtat themelore mbi bazën e koncepteve të gjera të moralit". Por Vëllazërimi Mysliman, që dominon grupin hartues të kushtetutës, i hedh poshtë kritikat, duke argumentuar se projekt-kushtetuta realizon "ëndrrat e ndërtimit të një regjimi demokratik."

Me Egjiptin kaq të polarizuar, disa po mbrojnë idenë e rivendosjes së përkohshme të kushtetutës së vjetër, me disa amendamente, pastaj arritjen e konsensusit me kalimin e kohës, kur atmosfera të qetësohet. Por në kushtet kur referendumi është caktuar për të shtunën, shanset për arritjen e konsensusit apo të qetësisë duken të pakta. A.N.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.