Kriza ekonomike, ulet paga mesatare

Ngadalësimi i rritjes ekonomike gjatë këtij viti është reflektuar edhe në rënien e pagës mesatare në ekonomi. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2012, indeksi i pagës mesatare në ekonomi shënoi norma negative. Indeksi i pagave ra me 8.4% në terma realë për tremujorin e dytë, ndërkohë që në tremujorin e parë rënia kishte qënë dyshifrore.
Indeksi i pagës mesatare në ekonomi llogaritet si raport i indeksit të fondit të pagave me indeksin e numrit të punonjësve, mbështetur në të dhënat që publikon Instituti i Statistikave. Rënia e pagës mesatare është një tregues i qartë se kriza po jep efekt edhe në nivelin mesatar të të ardhurave të personave të punësuar.
Një tjetër zhvillim negativ gjatë këtij viti është rënia e produktivitetit të punës, që mat të ardhurën mesatare që siguron një biznes për çdo të punësuar. Në tremujorin e dytë të këtij viti, ky tregues ra me 8%. Një zhvillim i tillë tregon ulje të eficiencës së përdorimit të punës në procesin e prodhimit nga bizneset. Produktiviteti i ulët nënkupton konkurrueshmëri të dobët. Ky ka qënë dhe mbetet një problem serioz për ekonominë shqiptare, problem që në këtë vit krize po thellohet akoma më shumë. Ne.Su.
Add new comment