Rishfaqet komisioni per hetimin e “Puçit”

Në prag të zgjedhjeve parlamentare, Berisha pritet të riaktivizojë komisionin e famshëm dhe të shumëkontestuar për hetimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal për dhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit kushtetues në datën 21 Janar 2011, raporton agjensia Sot News.
Kjo ndodh në kohën që Brukseli dhe Uashingtoni kanë kërkuar zbardhjen e përgjegjësve të vrasjeve dhe plagosjeve të 21 Janarit. Burime pranë komisionit hetimor kanë informuar Sot News se, pas vendimit të Kuvendit për shtyrjen e afatit të veprimtarisë së hetimit, anëtarët e komisionit po punojnë në fshehtësi për hartimin e raportit me faktet, provat dhe konkluzionet. Raporti, i cili mendohet të jetë një akuzë për grusht të organizuar shteti, pritet t’i dorëzohet kryeprokurorit të ri, Adriatik Llallës. Sipas burimeve, veprimtaria e komisionit hetimor do të përfundojë në 8 Qershor të këtij viti, pra në prag të zgjedhjeve të 2013.
Pasi dështoi për të gjetur qoftë edhe një provë që konfirmonte thikat me helm dhe çadrat-pistoletë, sikundër ka pretenduar Berisha, mazhoranca i ka shtyrë katër herë afatet e veprimtarisë hetimore të komisionit të 21 Janarit. Por, gjithsesi, kryeministri e realizoi qëllimin e synuar, pasi me anë të komisionit arriti të zhvendoste vëmendjen nga përgjegjësia për vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm para Kryeministrisë. Po ashtu, për dy vite me radhë, mazhoranca e mbajti pezull komisionin si formë presioni ndaj kundërshtarëve politikë.
Re.Pu.
Add new comment