Titullarin e INSTAT dhe strukturën organizative e vendos... (e kush tjetër)

Kalohet dhe një tjetër ligj vetëm me votat e mazhorancës parlamentare. Ishte ligji për disa ndryshime në Statistikat Zyrtare ai i cili ndau sërish sot opozitën dhe pozitën në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Pavarësisht kundërshtive të deputetëve socialistë, demokratët në komision i miratuan pa votat e tyre ndryshimet në ligjin për statistikat zyrtare.
Sipas ndryshimeve, drejtuesi i INSTAT zgjidhet nga Kryeministri me një mandat 5 vjeçar. Ligjvënësit e opozitës kundërshtuan ndryshimet duke argumentuar se ky institucion duhet të jetë në varësi të Kuvendit dhe jo të kryeministrit. Por përfaqësuesit e INSTAT të pranishëm thanë se propozimet për ndryshimin e ligjit janë kryer “në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë”.
Kështu, pas votës së PD-së, ligji aktual "Për statistikat zyrtare", i miratuar në vitin 2004, tashmë do të pësojë disa shtesa dhe ndryshime. Në një draft me 16 nene propozohen një sërë ndryshimesh, duke filluar që nga emërtesa e kreut të INSTAT, që nuk do të jetë më "Drejtor i Përgjithshëm", por "Titullar i INSTAT-it". Struktura organizative e INSTAT-it miratohet me urdhër të Kryeministrit, pas propozimit të Këshillit të Statistikave. Edhe titullari i INSTAT-it emërohet nga Kryeministri, (pas kryerjes së një procedure publike rekrutimi nga Këshilli i Statistikave – thotë ndryshimi). Por edhe mënyra e kryerjes së kësaj procedure, afatet e njoftimit dhe kriteret për vlerësimin e kandidatëve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Re.Pu.
Add new comment