Diçka e shqetëson Kryeministrin sa herë flitet për policinë

Postuar në 05 Shkurt, 2013 08:18

Është e treta herë në pak ditë që kreu i qeverisë dhe i PD-së Berisha përmend emrin e "Hakmarrjes për Drejtësi", një emër që kishte vite që nuk e zinte ngojësh. E paqartë pse e bën, por po e bën sa herë që flitet për policinë (dhe për policinë po flitet jo pak këto kohët e fundit). Fillimisht lexoi zëdhënësja e tij diçka, më pas ishte ministri F.Noka që lexoi thuajse të njëjtën gjë, dhe dje vetë Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar citohet nga mediat të ketë thënë:

"…Zoti Rama është në panik total. Ka ditë që del e sulmon forcat e rendit, për fajin e vetëm të tyre që kanë absolutisht njërin prej treguesve më të lartë që mund të ekzistojnë në zbulimin dhe goditjen e krimit. Po, kurrë ndonjëherë nuk ka ekzistuar ndonjë shkallë zbulueshmërie dhe goditjeje të krimit, sesa ekziston sot. Në ditën e parë kishte vendosur në njërin krah Gramoz Rucin, në krahun tjetër zonjën Xhuvani, pas shpine Hakmarrjen për Drejtësi. Po, i kishte aty dhe me këta premtonte rendin. Kishte mbledhur të gjithë policët e përjashtuar për trafiqe…" etj.

Policia me sa shihet është një pikë që e ngacmon fort Berishën në këtë prag fushate elektorale. Disa ditë më parë mediat botuan një raport të ICITAP dhe EULEX ku flitej për trajtimin e policisë shqiptare dhe rezultonte se policët shqiptarët ishin jo vetëm më të keqpaguarit në Europë dhe në rajon, por edhe se paga e policëve të patrullave ishte më e vogël se ajo e pastrueseve në disa institucione të shtetit. "Policëve u është hequr edhe koeficienti mbi pagën e administratës, rrogat e tyre janë në nivelin e 2003-shit, nuk u paguhen prej vitesh dietat dhe të drejta financiare plus që u siguron ligji – thoshte raporti, në të cilin përmendej gjithashtu se një drejtues policie që menaxhon mbi 9 mijë punonjës, paguhet sa një drejtor sektori në administratë me 4-5 vartës. A.N.

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.