Shënim: Në tri vitet e fundit, legjislacioni fiskal i Shqipërisë është ndryshuar... 72 herë!

Postuar në 06 Mars, 2013 15:11

Në tri vitet e fundit, legjislacioni fiskal është ndryshuar... 72 herë. Kjo nuk është parë në asnjë vend të Evropës. Ndryshimet e shpeshta kanë sjellë konfuzion tek taksapaguesit. Ndërsa mungesa e informacionit, apo marrja me vonesë e tij ka sjellë jo vetëm problemin e mosrespektimit të legjislacionit nga ana e bizneseve, por edhe probleme në marrëdhëniet  midis bizneseve dhe punonjësve të administratës tatimore, duke favorizuar mundësitë për mitmarrje dhe korrupsion. Bizneset theksojnë se ligjet dhe rregulloret në lidhje me të ardhurat nga taksat dhe detyrimet jotatimore janë shpesh kontradiktore. Deri tani i vetmi ndryshim fiskal, e ashtuquajtura amnisti fiskale, u bë gjoja me marrjen e mendimit të biznesit, në një takim sa për formë një javë përpara se qeveria të shpallte amnistinë në prill 2011, vetëm dhe thjesht për të fituar vota në zgjedhjet vendore. Në 71 ndërhyrjet e tjera fiskale, biznesi dhe qytetarët janë vënë përpara faktit të kryer.

Bizneset me të drejtë mendojnë se ndryshimet në legjislacionin fiskal duhet të jenë jo të shpeshta dhe sektorit privat ato duhet t’i bëhen të njohura në kohën e duhur. Çdo ndryshim në legjislacionin fiskal duhet të jetë në axhendën e institucioneve të paktën 1 vit para se të miratohet dhe duhet të ketë konsultime të shpeshta me grupet e interesit, veçanërisht të komunitetit e biznesit. Ligjet fiskale duhet të ndryshojnë jo më shumë se dy herë në vit. Ndryshimet në kuadrin fiskal duhet të bëhen për një afat të gjatë kohor dhe çdo ligj i ri i miratuar në Parlament, duhet t’i bëhet i njohur paraprakisht komunitetit të biznesit. Fushata nuk duhet të konsistojë vetëm te botimi i ndryshimeve në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, por edhe përmes mediave, editorialeve, emisioneve të lajmeve etj. Asgjë e tillë nuk po ndodh. E.Shehu (karikatura nga M.Belortaja)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.