Arben Idrizi: Bombavënësit e Bostonit dhe “djemtë për së mbari e për së mbrapshti”

Kolumnisti i së përditshmes së Prishtinës ‘Gazeta Express’, Arben Idrizi ka shkruar një artikull, në të cilin shfaqet i ngacmuar nga konsiderata që kanë dhënë fqinjët e vëllezërve me mbiemrin Carnajev, që kryen krimin e maratonës së Bostonit. “Kanë qenë, apo na janë dukur, njerëz për së mbari”, citohen të kenë thënë për vëllezërit çeçenë fqinjët e këtyre të fundit.
Prej këtu, Idrizi heq dy paralele, njëra fiktionale, tjetra reale. E para ka të bëjë me fabulën e një tregimi të shkrimtares jugafrikane, Nadine Gordimer që ka marrë çmimin Nobel: “Protagonisti i tregimit quhet Rad; [është] një i huaj, mysliman, pranohet si qiraxhi (pasi në dukje dhe paraqitje ka lënë të kuptohet se është djalë për së mbari) në dhomën boshe në katin e shtëpisë ku banojnë prindërit e Verës, një shtatëmbëdhjetë vjeçareje, të cilët po ashtu banojnë përfund pronarëve të shtëpisë, Rad fillimisht është i tërhequr, i druajtur, …nuk kalon kurrë pa përshëndetur, bile me mjaft ngrohtësi. Vera nis të afrohet me të, fillimisht sa për njohje e më vonë nga dashuria…. Vera mbetet shtatzënë. Ai i kërkon të martohen. Për t’u martuar duhet të shkojë te prindërit e tij, në vendlindjen e tij. Rad kujdeset vetë që t’i blejë dhuratat e Verës për prindërit, vëllezërit, motrat, nipat e mbesat e tij…. Shkojnë në aeroport, përqafohen, por ajo s’arrin ta shohë në fytyrë, kalon kontrollin e pasaportave, kthen shikimin mbrapa për ta parë të dashurin e saj shumë të dashur, vazhdon ta shikojë derisa ai zhduket sysh. Teksa aeroplani është duke fluturuar mbi det, eksplodon. Lodrat plastike që Rad ia kishte dhënë si gjoja dhuratë për nipin e tij ishin në të vërtetë bomba për sulmin në emër të Allahut. [Është] ndër sulmet e para terroristike të këtij lloji. Mesi i viteve tetëdhjetë të shekullit XX. Policisë i ishin dashur më shumë se një vit hetime për ta zbuluar kush e kishte bërë, çfarë dhe si kishte ndodhur.”
Ndërsa ngjarja tjetër nuk është fiktionale; përkundrazi, është një dëshmi e të afërmëve të tij. Thotë Idrizi: “Në fshatin e dajave të mi kishte disa familje [serbe], shumica e të cilave kishin raporte normale me shqiptarët. Por ishte sidomos një i ri që ishte më shumë i lidhur me ta…. Dinte shqip, luante futboll për çdo ditë me shqiptarët, shkonte në shtëpitë e tyre, i pranonte në shtëpinë e vet, punonte për ta ose i angazhonte ata të punonin për të. Me humor edhe i tallte pse e duronin terrorin e pushtetit serb. I njëjti, qysh në ditët e para të shpërthimit të luftës e kishte braktisur fshatin, ishte veshur polic dhe ishte kthyer t’i luftonte fqinjët shqiptarë – duke u bërë urrejtësi më i madh i tyre – me qëllim që t’i zhbinte nga faqja e dheut. Nga ana tjetër e llogores i thërriste me emra dhe i paralajmëronte se si do t’i priste në gabzherr si derrat e vet dhe masakronte po t’i zinte të gjallë.”
Shkrimin e plotë mund ta ndiqni në linkun http://gazetaexpress.com/?cid=1,883,109572
Re.Pu.
Add new comment