Ervin Çuli thotë se TOB-i dhe Teatri Kombëtar janë kthyer në seksione të PD-së

Aktori e regjizori Ervin Çuli, që në vitin 2005 ka votuar për Partinë Demokratike, ndihet i zhgënjyer. Në fakt, ka vite që e ka shprehur këtë zhgënjim. Kohët e fundit e ka shprehur me zë më të lartë, madje edhe duke u rreshtuar qartësisht me opozitën. “Do t’i jap Ramës një votë të kondicionuar”, thotë megjithatë, duke lënë të kuptohet se ka dyshime për këtë opozitë, por këto dyshime nuk e bëjnë të harrojë se kush është përballë saj. Dhe listën e kritikave e të denoncimeve në adresë të Berishës e ka të gjatë. Ia numëron një e nga një në një interviostë për Javën, dhënë Gladiola Bendos.
Në këtë intervistë fokusohet mes të tjerash edhe tek marrëdhënia art-politikë. Dhe thotë: “A ju kujtohen peticionet që u shpërndanë dy herë në mënyrën më të turpshme nga Jozi, një herë për grevën e urisë të PS-së, dhe një herë tjetër për votimin e tre ligjeve? Kontrolloni listat dhe do vini re se 90 për qind e firmëtarëve janë rrogëtarë të institucioneve artistike. Madje dhe ata që atëherë nuk figuronin në punë sot e kanë gjetur një vend brenda institucioneve artistike.”
Më pas hidhet tek TOB-i. “Shikoni drejtorin e Teatrit të Operas dhe Baletit se si e ka kthyer institucionin në një degë të Partisë Demokratike. Për të kënduar në skenë apo për të drejtuar orkestrën duhet të kesh patjetër teserën e PD-së. Lexoni denoncimin e një dirigjenti të njohur të TOB-it, para disa ditësh në një të përditshme, e do ta kuptoni më mirë këtë. Shikoni kur del ndonjë premierë në TOB. Lozha kryesore, si dikur Byroja Politike, është e pushtuar nga zyrtarët hijerëndë e injorantë të Partisë në pushtet, që të nesërmen e shkruajnë në CV-në e tyre faktin që kanë parë dhe Opera”, thotë ai.
Dhe në fund me teatrin, që është fusha e tij: “Sa për Drejtorin e Teatrit Kombëtar, nuk ke ku e kap të ziun. Ky, si për nga karriera (ka luajtur ndonjë film mediokër, ndërsa në skenë asgjë) dhe për nga formimi i përgjigjet tamam vlerave provinciale që promovon Partia Demokratike. Ky drejtor kukull i emëron njerëzit në punë pa asnjë kriter, përveç atij politik. Kuptohet, ato emërime që bëhen ndodhin vetëm kur e marrin në telefon njerëzit e familjes së doktorit. Për të nuk ka rëndësi as teatri as ligji, por vetëm padroni. Nëse i thonë merre filanin se është me PD-në, ai e bën menjëherë, edhe pse shkel kokë e këmbë ligjin. Vetëm kohët e fundit ka emëruar me telefon dy aktorë (që nuk i paragjykoj për aftësinë e tyre, por për mënyrën e emërimit), duke mos respektuar as minimumin e detyrimit që ata të kenë ndonjë rol në skenën e TK-së. Nejse, shpresojmë që këto të ndryshojnë pas 23 qershorit. Frikë është sepse këta njerëz përpiqen të krijojnë lobe edhe në krahun tjetër politik, me shpresën se po t’i lënë aty ku janë do t’u shërbejnë me po të njëjtën devotshmëri e përulje dhe padronëve të rinj. Kjo është një specie e rrallë që ka një tjetër talent të spikatur, kuptohet aspak artistik.”
Intervistën e plotë mund ta gjeni në linkun http://revistajava.al/dossier/201363/hervin-culi-shqiperia-e-deformuar-e-sali-berishes
Comments
Skrami nuk ka qene ndonje
<p>Skrami nuk ka qene ndonje aktori aq medioker sa e bene Culi. Ka qene aktor i mire. Smund te shahet. Ai mund te jete i politizuar dhe besuari i Partise, por nuk ka pse ngatrrohe aftesite profesionale me perkushtimin partiak...Derisa kemi vetem nje teater kombetar dhe ska alternativa private ose paralele, keshtu do ti emeroj partia drejtoret dhe aktoret. Se paku ne kohen e komunismit, perzgjedhja qe shume profesionale</p>
Add new comment