Përleshjet vazhdojnë, ndërsa egjiptianët kërkojnë një kryeministër

Pasditen e djeshme mediat e huaja konfirmuan se Mohamed El Baradei, çmimi Nobel për Paqen, ishte përzgjedhur si kryeministri i ri në detyrë i Egjiptit nga presidenti Mansour. Vetë El Baradei kishte thënë se e pranonte detyrën e ngarkuar, megjithëse lajmi ende nuk kishte gjetur konfirmime zyrtare. Por, duket se gjërat nuk kanë qenë kaq të thjeshta. La Repubblica raporton se dje në mbrëmje vonë, një zëdhënës i presidencës ka saktësuar se formimi i qeverisë së re nuk është kryer ende dhe se presidenti Mansour kërkon të marrë edhe mbështetjen e opozitës. Për këtë kthim të pashpjegueshëm mbrapa, duket se kanë ndikuar reagimi i ashpër i dy partive kryesore islamike, Vëllezërit Myslimanë dhe Nour. Ato e kanë refuzuar kategorikisht El Baradein si kryeministër, shprehen se nuk do të bashkëpunojnë me të sepse e quajnë “njeri të SHBA-ve”. Mohamed el Khatib, drejtues i Vëllezërve Myslimanë, ka thënë për Ansa-n se nëse ata pranojnë El Baradein si kryeministër, do të thotë se pranojnë edhe grushtin e shtetit të para disa ditëve.
Re.Pu
Add new comment