Në Lezhë ka manipulim të rezultatit? Mund të merret vesh sot.

Postuar në 10 Korrik, 2013 05:03

KQZ-ja ka arritur në përfudimin se ka pasur një problem me zgjedhjet në Lezhë, e prandaj rezultati përfundimtar i këtij qarku po vonon. Pretendohet se janë manipuluar tabelat e rezultateve, të cilat janë dorëzuar në KQZ. Nga qendra e votimeve në Kallmet, fjala vjen, ka dalë një tabelë rezultatesh, në të cilën vihen re mospërputhje mes votave të vlefshme dhe shumës së votave të marra nga partitë, dhe kjo mospërputhje për shkak të manipulimit është në favor të Partisë Socialiste. Një tjetër tabelë e deformuar është ajo që ka dalë nga qendra e votimit e Ungrejit, gjithnjë në Lezhë. Është një tabelë me shifra të korrigjuara, raportojnë Panorama, Shqipi e Mapo. Te kolona e Partisë Socialiste shpërndahen vota të vlefshme 125 të tillë, por me sy të lirë arrihet të shikohet se shifra është shtuar, po ashtu dhe perifrazimi i shifrave me shkrim. Ndërsa sipas kësaj tabele rezultatesh, vihet re që Partia Demokratike ka fituar vetëm 83 vota, por dhe në këtë kolonë vihet re se ka pasur fshirje të shifrave.

Niazi Kosovrasti, përfaqësuesi legjendar i PD-së në KQZ, akuzon për këtë manipulim anëtarët e KZAZ-së, Alketa Hoxhën (PS),  Aleksandër Gjonmarkajn (PD), Gjovalin Gjeloshin (PD). Është po Kosovrasti që, siç kemi njoftuar në një shënim të mëparshëm, ka bërë publike disa sms kërcënuese që atij i kanë ardhur nga persona të paidentifikuar, tekstet e të cilave janë të tipit “çdo gjë që na del përballë, vetëm familja jote e lan”, “do ta shikosh sa të vlen lëkura, të fala fëmijëve”, etj.

SMS-të i janë vënë në dispozicion prokurorisë, dhe pritet me shumë kureshtje të merret vesh e vërteta. Ndërkohë, sot në KQZ do të shqyrtohen tabelat origjinale. Nuk dihet nëse këto manipulime të pretenduara mund të ndryshojnë rezultatin në numër deputetësh të këtij qarku.

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.