Mashtrimi me karburantet. Metrologjia jep deklarata mallëngjyese, por jo emra

Shoferët shqiptarë e dinë fare mirë se në pikat e furnizimit me karburant i vjedhin në sasi. Si e dinë? Shumë e thjeshtë. Mjafton që disa kontrollorë të Metrologjisë t’ua thonë miqve dhe familjarëve, dhe llafi përhapet. Prandaj deri më sot, sugjerimet mes njëri-tjetrit kanë të bëjnë me kompaninë që thuhet se ka cilësi të mirë, jo që nuk të vjedh në kandar. Bëri bujë madje, reklama e një kompanie karburantesh, që krenohej se “ne nuk ju vjedhim si të tjerët, jua japim sasinë fiks sa keni paguar”. Por tagrin për të bërë matje dhe ekspozuar shkelësit, e ka Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë. Si edhe disa institucione të tjera së fundi, kjo drejtori këto ditë ka raportuar se nga kontrollet e bëra janë konstatuar shkelje. Lexoni deklaratën e drejtoreshës Kozeta Mesiti: “Ky aksion që do të jetë sistematik, i vazhduar dhe efektiv, ka si objektiv primar sigurimin e qytetarëve vendas, por edhe qytetarëve të huaj gjatë sezonit turistik, se për vlerën e paguar do marrin sasinë reale të produktit që blejnë. Garantimi i kësaj marrëdhënieje të drejtë midis shitësit dhe blerësit të karburantit, nuk është thjesht një problem teknik dhe abuzim financiar ordiner, por është një përpjekje e jona për të ndalur këtë padrejtësi sociale që nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë”.
Bukur fort. Po pse nuk thotë zonja emrat e pikave e firmave që vjedhin (dhe që e paskan bërë gjithë këto vjet) konsumatorët, në vend të këtij paragrafi emocionues?
A.K
Add new comment