A mund të qeverisin sërish bashkë PDK-ja dhe LDK-ja në Kosovë? pyet Express

Kjo është pikëpyetja që ka hedhur e përditshmja kosovare “Express”, në një artikull të gazetarit Faton Ismajli. Shkrimi thotë se konsultimet për një lidhje të mundshme mes dy partive që kanë një rivalitet tradicional, kanë filluar që tani, edhe pse zgjedhjet parlamentare do të mbahen vitin e ardhshëm. Ndërsa, burime ndërkombëtare citohet t’i kenë thënë gazetës “Express” se në bazë të sondazheve aktuale, krijimi i Qeverisë së ardhshme shihet si e vështirë. Sipas gazetës, partia e Behgjet Pacollit duket se nuk do të jetë faktor vendimtar në krijimin e qeverisë së ardhshme, ndërsa AAK-ja këmbëngul në qëndrimin e saj se do të hyjë në qeveri vetëm nëse i jepet posti i Kryeministrit. Këto duket se i vështirësojnë shumë negociatat. Por, një bashkëpunim PDK-LDK nuk është pritur keq nga palët. “Asnjëra palë nuk ka dhënë shenja krejtësisht refuzuese. Liderët e dy partive janë të gatshëm të hyjnë në bisedime pas zgjedhjeve parlamentare për një koalicion PDK-LDK”, ka thënë për gazetën një burim ndërkombëtar. Sipas sondazheve, PDK-ja vazhdon të jetë partia e parë në Kosovë, e pasuar nga LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Re.Pu
Add new comment