Qeveria e re e “Rilindjes”, mbetet jashtë “garda e vjetër”. Duhen për “odën e burrave”, thotë Rama

Postuar në 02 Gusht, 2013 01:37

Ka ditë që po përflitet e komentohet qeveria e re e Ramës, si nga opozita, po e re, ashtu edhe nga segmente të caktuara të koalicionit të majtë, të pakënaqur për aspiratat dhe synimet e tyre në konfigurimin e ri qeveritar. Pothuajse të gjithë postet qeverisëse iu besuan deputetëve të rinj që morën mandatin për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2009. Asnjë emër nga “garda e vjetër” e socialistëve nuk u përfshi në kabinet, edhe pse disa prej tyre mësohet se ishin të gatshëm ta linin mandatin e deputetit. Në këtë mënyrë shumë “senatorë” edhe pse me ambicie, mbetën përsëri “senatorë”, ndërsa disa të tjerë, u kënaqën që, në prag të pensionit, morën edhe një herë mandatin e deputetit më 23 qershor.  Ministra me përvojë dhe të rëndësishëm të qeverisjes 8-vjeçare të PS-së në vitet 1997-2005, Ben Blushi, Arta Dade, Blendi Klosi, Valentina Leskaj, Fatmir Xhafaj mbetën këtë radhë jashtë posteve qeveritare. Po kështu mbetën jashtë edhe ish-kryeministrat historikë, Pandeli Majko dhe Bashkim Fino, për të mos shkuar më tej, te Gramoz Ruçi, kryetari i Grupit Parlamentar, që deri tani nuk ka “ngjyer” në shtet, por është mjaftuar me postet e larta në forumet e partisë.

Nuk ishte e vështirë që nga një përgjigje gjysmë serioze e gjysmë ironike e Ramës në konferencë shtypi me gazetarët, të mësoje se “garda e vjetër”, për vetë përvojën e gjatë parlamentare, duhet te “oda e burrave”, pra, në Kuvend; ndërsa të rinjtë, për energjitë dhe mendësitë e reja, duhen te qeveria.

Dje Rama ka bërë takimin e parë me ministrat e tij të rinj, pa ata të LSI-së, duke u dhënë një sërë “detyrash shtëpie” derisa të vijë dita e marrjes së detyrës, për ndërtimin e kabineteve respektive, bërjen kujdes në krijimin e strukturave për çdo ministri, përpilimin e masave urgjente dhe sfidave të tjera për përmirësimin e gjendjes etj.

Zh.

Comments

Submitted by Bard (not verified) on

Kujt po i dhimbsen, kur forumet e PS u uzurpuan nga njerez pa kurrfare kredoje politike e ideologjike e lidhje me PS, ata ndjenjen urte me shpresen se do te mbijetonin. Tani ka ardhur koha te korrin ate qe kane mbjelle, legjislaturen tjeter keta nuk do te jene as deputete, do te fillojne te mjaullijne veç kur ta shohin veten jashte çdo forumi, por askush nuk do i degjoje, ndersa kompletohet faza e fundit e uzurpimit te partise.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.