KLSH shënjestron Berisha-Boden: Gënjyen, tavani i borxhit ishte rritur me kohë

Nuk ka qenë ndonjë surprizë fakti që qeveria Berisha ka gënjyer sistematikisht me shifrat e performancës ekonomiko-financiare. Por tjetër gjë të dyshosh, dhe tjetër të vërtetohet zyrtarisht nga një institucion shtetëror, se vendimi i qeverisë fundvitin e kaluar për t’i hequr limitin borxhit publik, që sipas nenit 58, deri në atë kohë, nuk duhet të ishte më i madh se 60 për qind e GDP-së, ishte marrë në kushtet kur së pari ligji në fjalë ishte shkelur. Gazeta Shqip njofton se sipas hetimit të KLSH-së, referuar bilanceve të raportuara nga vetë Ministria e Financave, borxhi publik kishte kapërcyer sakaq në 61.53 për qind, ende pa u miratuar ligji dhe hyrë në fuqi (votimi në parlament u krye më 17 dhjetor). Për këtë akt, KLSH kërkon marrjen e përgjegjësive ligjore, pasi rritja tej planit ka kërcënuar financat e vendit.
Ligji nisi të zbatohej më 3 janar, kur realisht borxhi ishte gati gati 62 për qind e GDP-së. Por ka edhe më: Ministria e ka shkelur ligjin që në tremujorin e parë të këtij viti, duke e kapërcyer borxhin publik mbi 63 për qind (tavani i ri është 62.6%), në kushtet e rritjes ekonomike 1.7 për qind dhe tendenca është për një nivel afër 64 për qind deri në fund të vitit.
a.k
Add new comment