Kosova nderon me Urdhërin e Lartë gazetarin e shquar gjerman, Viktor Meier

Gazetari i shquar gjerman Viktor Meier ka qenë pioneri i mbështetjes së aspiratave të shqiptarëve në Kosovë për liri qysh në vitet tetëdhjetë. Ai asnjëherë nuk i iku ballafaqimit me padrejtësitë politike dhe ekonomike në Europën Juglindore, ndaj dhe Kosova e ka nderuar atë me Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Dr. Ibrahim Rugova”, të dorëzuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
I lindur në vitin 1929 në Winterthur afër Zürich-ut, Meier filloi të merret me zhvillimet në Europën Juglindore dhe sidomos në Jugosllavi që në vitet ‘50. Pasi punoi disa vjet si korrespondent i medieve të ndryshme gjermanofolëse nga Ëashingtoni, Moska dhe Athina Meier iu përkushtua Ballkanit. Fillimisht ai raportoi për gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, ndërsa nga viti 1975 deri në fund të vitit 1993 ishte korrespondent për Ballkanin i “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Në librin e tij “Si u humb Jugosllavia” Meier i bën një gjyq me fakte edhe politikës perëndimore, të cilën e akuzon si proserbe në shumë raste dhe këtu ai përmend sidomos rolin e Francës dhe të Britanisë së Madhe. Mosnjohja e realitetit politik në Jugosllavi nga ana e diplomatëve perëndimorë, nënvizon Meier, ishte “pothuaj groteske”. Gabimet katastrofale të politikës perëndimore ndaj Jugosllavisë ishin shkaktuar përmes “vlerësimeve të gabueshme politike, dembelisë mendore dhe cektësisë”. Në vend se Perëndimi të mbështeste kërkesat e republikave dhe krahinave jugosllave për më shumë mëvetësi, ai ra në grackën e Beogradit për kinse “ruajtjen e Jugosllavisë”, ka shkruar Meier.
Meier u shpreh mirënjohës me rastin e pranimit të Urdhrit. “Republikës së Kosovës i uroj shumë fat dhe bekimin e Zotit”, tha ai.
Zh.
Add new comment