Dy lëvizjet më të komentuara financiare: Vodafone ikën nga tregu amerikan; Bill Gejts blen Nokia-n

Postuar në 03 Shtator, 2013 05:46

Përgjithësisht, lëvizjet në tregjet ndërkombëtare mes kompanive të mëdha, kuptohen, komentohen dhe përbëjnë lajm vetëm nga njerëz të fushës. Por dy ngjarje financiare këto ditë janë vërtet mbresëlënëse. Shumëkombëshja britanike Vodafone u largua nga tregu amerikan, ku ishte e pranishme me 45% të aksioneve të kompanisë më të madhe të telefonisë së lëvizshme, Verizon. Një largim luksoz, për shitjen e aksioneve Vodafone merr mbi 130 miliardë dollarë. Vetëm taksat që merr shteti amerikan nga ky transaksion, janë mbi 5 miliardë USD.  Po kjo shifër, saktësisht 5.44 miliardë USD, i është dashur gjigandit të softuareve, Microsoft, për të blerë kompaninë e njohur finlandeze të prodhimit të celularëve Nokia. Faktikisht kompania e Bill Gejtsit ka blerë njësinë që merret me prodhimin e telefonave, ndërsa aktivitetet e tjera të Nokia-s do mbeten sërish në duart e finlandezëve. Marrëveshja pritet të mbyllet në fillim të 2014-ës, dhe 32 mijë punëtorë të Nokia-s do kalojnë tek Microsoft. Nokia është një nga prodhuesit kryesorë të celularëve me sistemin e operimit Windows. Me këtë lëvizje, edhe Microsoft, edhe Nokia rihyjnë fuqishëm në tregun e celularëve të avancuar, ku së fundi po mbizotërojnë Samsung dhe Apple.

 

a.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.