Devijimi i stacionit të trenit, vidhen shinat për skrap

Devijimi i stacionit të trenit, si pasojë e fillimit të punimeve të Bulevardit të ri të Tiranës, ka zgjuar interesin e "gjuetarëve të skrapit". Policia e Tiranës vuri në pranga sot 4 persona nën akuzën e vjedhjes, pasi u kapën në flagrancë duke shitur shinat e trenit për skrap. Në cilësinë e provës materiale, 4 të arrestuarve rreth moshës 16-17 vjeç, policia u ka sekuestruar çelësa papagall, leva dhe një sasi të madhe hekurash. Arrestimi u bë pas verifikimit nga ana e policisë, se shinat ishin të vjedhura dhe ishin pikërisht ato të stacionit të trenit të devijuar. Ndërkohë që fillimi i punimeve të Bulevardit të ri në kryeqytet ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha tek pronarët e tokave që preken nga projekti. Banorët kundërshtojnë çmimet e përcaktuara për metër katrorë për të shpronësuar shtëpitë e tyre që do të prishen.
R.R.
Add new comment