G20-a, dështim me Sirinë, por e suksesshme për atë që ishte mbledhur, ekonominë

Nuk duhet thënë se dështoi fare, pasi pati një përafrim për çështjen e sulmit ushtarak mbi Sirinë, por ekspertë të njohur ndërkombëtarë, thonë se G20 pati arritje në diskutimin dhe masat për ekonominë botërore.
Ajo që vunë në dukje të gjithë liderët në samit ishte se ekonomia botërore është në rimëkëmbje. Më shumë ujdi samiti tregoi në çështjet ekonomike. Ky është edhe qëllimi kryesor i samitit, sipas pjesëmarrësve. Në fund të fundit ishte kriza financiare botërore e vitit 2008, ajo që solli krijimin e një instance të tillë. Në një deklaratë përfundimtare të samitit thuhet se koniunktura botërore ndërkohë është qetësuar, por është herët për të bërë fjalë për fundin e krizës. Të njëjtat tone përdori edhe presidenti kinez Xi Jinping. Ai kërkoi nga shtetet e G20-s të konsolidojnë buxhetet e tyre. Për këtë duhet rritur bashkëpunimi mes vendeve të G20-s.
Në Shën Petersburg u ra dakord për një plan kohor për të reduktuar evazionin fiskal të megakoncerneve ndërkombëtare. Për këtë çështje u angazhua së tepërmi Angela Merkel: "Nga njëra anë ne luftojmë kundër papunësisë, nga ana tjetër ka koncerne që lulëzojnë, e nuk paguajnë asgjëkundi tatime." Ajo u shpreh pozitivisht për hapat e bëra në drejtim të rregullimit të bankave të ashtuquajtura banka-hije. "Me këtë ne bëjmë të qartë se çdo produkt financiar, çdo aktor financiar dhe çdo treg financiar i nënshtrohet rregullimit."
Për të luftuar më me efektivitet evazionin fiskal, shtetet e G20-s ranë dakord për të rritur shkëmbimin e informacionit. Deri në vitit 2015 duhet të krijohen standarte, të cilat do të bëjnë të mundur krijimn e një databaze të përbashkët. Në fund të samitit, krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve të G20-s debatuan për tregtinë botërore dhe luftën kundër proteksionizmit.
Zh.
Add new comment