Pjesa e fjalimit të Ramës për 21 janarin, Gërdecin dhe privatizimet (që nuk u dëgjua nga Berisha)

Më poshtë, pjesa e fjalimit të Ramës që flet për 21 janarin, Gërdecin dhe privatizimet. Sapo nisi kjo pjesë Berisha largoi deputetët nga salla:
Zonja dhe Zotërinj,
Anomalia e tranzicionit ekskluzivisht shqiptar të pushteteve në rast rotacioni, krijoi qysh prej 23 qershorit një vakum shumë problematik. Inercia e keqqeverisjes u kthye në një sprint vendimesh, privatizimesh, shpërblimesh. Pa asnjë të drejtë morale. Pa asnjë legjitimitet politik. Pa asnjë sens etik. Me legjitimitetin e pushtetit moral të popullit sovran, kemi kërkuar publikisht, qysh në fillim, seriozitet dhe vetëpërmbajtje nga ana e qeverisë në ikje.
Kemi paralajmëruar anulimin e çdo vendimi që do t’i binte ndesh këtij legjitimiteti dhe vetë interesave të publikut. Fatkeqësisht, zëri i arsyes sonë ka rënë në vesh të shurdhër dhe fatura e cenimit të interesit publik në këta muaj është shumë e lartë. Por fatmirësisht, koha e ndërmjetme ka mbaruar dhe është koha jonë të fillojmë punën, për të lidhur fjalët me veprat.
Dua të jem i qartë në këtë pikë për raportin e shumicës së re dhe të qeverisë sonë, me dëmet e kohës që iku: Ne nuk kemi mandat për të harruar krimet e pa gjykuara që janë bërë.
Mandati ynë na është dhënë për të mos harruar popullin e vrarë në Gërdec, protestuesit e vrarë në bulevard, deputetin e vrarë në oborr, kryekomunarin e vrarë në rrugë, komisarët e policisë të vrarë në krye të detyrës.
Jo për t’u hakmarrë për të shkuarën, po për të mos i hyrë në hak të ardhmes; jo për të bërë politikë me drejtësinë, po për të bërë çmos që drejtësia të mos bëhet politikë; jo për të marrë rolin e prokurorëve e të gjykatësve, po për të krijuar kushtet që prokurorët dhe gjykatësit ta bëjnë rolin e tyre.
Ne nuk kemi mandat për të amnistuar falje pronash që i janë grabitur popullit me vendime qeverie, apo për të njohur të drejta që pushteti u ka dhuruar në rrugë abuzive klientëve të tij.
Mandati ynë na është dhënë për të bërë transparencë të plotë, të të gjitha proceseve të dyshimta ose të dyshuara për korrupsion e krim ekonomik, me pasojë dëmtime pasurore ose cenim të interesave të publikut dhe të qytetarëve të pambrojtur.
E kemi premtuar, do ta bëjmë deri në fund këtë transparencë të katrahurës me pronat e shqiptarëve, si qeveri dhe si shumicë qeverisëse në kuvend.
Dora jonë e bashkëpunimit me pushtetin gjyqësor do të jetë e shtrirë pa kushte. Por ne nuk do të rrimë duarkryq, as përpara shfaqjeve të përsëritura në sallat e gjyqeve, të triumfit të vrasësve të qytetarëve të pafajshëm apo të pafajësimit të killerave të policëve të vrarë në krye të detyrës; as përballë goditjeve të çekiçit të gjykatësve që ligjërojnë padrejtësira flagrante në dëm të këtij vendi dhe të shumë qytetarëve të pambrojtur që më kot e kërkojnë drejtësinë tek ata që vrasin; as ndaj spirales së korrupsionit në drejtësi që tërë këto vite e ka tërhequr poshtë e më poshtë pushtetin gjyqësor në Shqipëri.
Add new comment