‘Sali’ Protopapa: Berisha politikan i falimentuar, Rama s’ma mbush syrin

Sejfi Protopapa njihet nga shumë shqiptarë si Sali Protopapa i filmit “I Teti në Bronz”. Në fakt, ai është bash e kundërta e atij personazhi filmi. Në një intervistë me Fatos Velun (botuar me pjesë gjatë kësaj jave në “Gazetën Shqiptare), Protopapa ka shpieguar se vërtet ka qenë një komandant çete i Ballit Kombëtar, si dhe zv-kryeredaktor i gazetës balliste “Flamuri”, por personalisht ka arrestuar në emër të Ballit Kombëtar një komandat çete balliste (Dake Cukalatin), i cili bënte pikërisht ato gjëra që i janë veshur atij vetë në filmin e sipërparmendur. (Cukalati u ekzekutua nga njerzit e Protopapës, kur po përpiqej t’i shpëtonte gjyqit që do t’i bënte ai).
Në pjesën e intervistës së botuar sot, Protopapa ka dhënë edhe konsideratat e tij mbi Berishën dhe Ramën. “Në këtë rast [ në zgjedhjet e 23 qershorit] ka mundësi që vota që mori Edi Rama të ketë ardhur më shumë nga të metat e Sali Berishës sesa nga Edi Rama vetë,” deklaron Protopapa, duke shtuar se kur e ka takuar Edi Ramën në Amerikë, nuk i ka dhënë impresionin për të qënë udhëheqës i Shqipërisë. Ndërsa për Berishën thotë se është një politikan i falimetuar që i ka humbur zgjedhjet.
Në biografinë e botuar në “Gazetën Shqiptare” thuhet se Sejfi Protopapa ka jetuar në SHBA pas Luftës së II Botërore dhe ka studiuar dhe punuar në fushën e fizikës bërthamore. Gjatë jetës në emigracion, ka qenë një aktivist i palodhur për pavarsinë e Kosovës, pavarsinë e Kishës Autoqefale Shqiptare dhe për Çështjen Çame.
Re.Pu.
Add new comment