PS dhe PD caktojnë emrat e komisioneve parlamentare

Postuar në 19 Shtator, 2013 15:28

Një mbledhje e kryesisë së PS ka caktuar sot në mbrëmje krerët e komisioneve parlamentare. Vangjel Dule, kryetar i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut është propozuar për nënkryetar të Kuvendit. Fatmir Xhafaj, do të drejtojë Komisionin e Ligjeve, më të rëndësishmin e Kuvendit. Erion Braçe do të drejtojë Komisionin e Ekonomisë. Arta Dade pritet që të drejtojë Komisionin e Jashtëm të Kuvendit. Eduard Shalsi do të jetë kryetar i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese. Ndërkohë pritet që kryesia në një mbledhje tjetër të vendosë për kryetarin e Komisionit të Sigurisë, nëse do ia japë LSI-së apo një aleati tjetër. Mbledhja e kryesisë zgjati për rreth një orë, ndërkohë që mësohet se nuk ka pasur debate.

Edhe Partia Demokratike ka mbledhur sot grupin e saj parlamentar për të vendosur në lidhje me komisionet parlamentare që do të drejtohen nga opozita. Deputetët demokratë kanë zgjedhur Majlinda Bregun si kryetare e Komisionit të Integrimit, Genc Pollon si kryetar të Komisionit të Medias dhe Albana Vokshin si kryetare të Komisionit të Shëndetësisë.

Por mbledhja e grupit parlamentar të demokratëve është shoqëruar me debate mes dy ish-rivalëve për kreun e PD-së, Basha dhe Olldashi. Sipas burimeve, shkak është bërë propozimi i Bashës për të emëruar Genc Pollon në krye të Komisionit të Medias, një propozim që është kundërshtuar nga Olldashi. Ky i fundit mësohet se ka mbështetur për këtë detyrë deputeten Mesila Doda. a.n.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.