Mosdakordësitë do të bëj çmos t’i shprehen presidentit në rrugë konfidenciale - thotë Rama

Rama ka qenë mbrëmjen e së enjtes në emisionin Top Story ku është pyetur ndër të tjera edhe për raportin me presidentin Nishani. Pyetjes nëse ishte sulm heqja e portretit të tij nga zyrat, Rama i përgjigjet: "Nuk ka lidhje me këtë. Kjo ka lidhje me një histori shumë të stërzgjatur e qesharake të gjithë kësaj periudhe, kur asnjëherë një fotografi e presidentit të Republikës nuk ka gjetur paqe mbi mure, sepse gjithmonë është bërë objekt i kontestit të palëve për beteja të verbra brenda vetes, apo për inerci betejash me të tjerët. Nga ana tjetër besoj që ky vend ka nevojë për një rilindje morale dhe kjo rilindje morale duhet jo vetëm të përfshijë, por duhet të jetë pjesë e dijes qeverisëse. Megjithëse simbolet kanë një peshë relative, pesha e tyre nganjëherë është shumë e rëndësishme në momente të caktuara dhe Ismail Qemali besoj është një figurë e gjithë pranuar dhe është një simbol që rrezaton shumëçka në funksion të një rilindje morale të qeverisjes edhe në rrugën për të gjetur pika të përbashkëta referimi me të gjithë".
Kurse pyetjes: A duhet të ndjehet presidenti Nishani i rrezikuar nga një shkarkim? - Rama iu përgjigj: "Presidenti Nishani nuk ka asnjë arsye të ndjehet i rrezikuar nga asgjë, por i ka të gjitha arsyet që të jetë gardian i Kushtetutës, ashtu sikundër Kushtetuta e kërkon. Nga ana tjetër, mund t’ju siguroj që, për sa më takon, epoka e municioneve që mblidheshin në këtë zyrë dhe pastaj mbushnin topat apo armët e luftës politike, për t’u nisur të shtënat drejt presidencës, ka mbaruar. Në të gjitha rastet, ju nuk do të dëgjoni që unë si kryeministër të sulmoj publikisht presidentin. Sigurisht që mund të ketë momente mosdakordësie, por, gjithmonë, në rast se do të shprehen, edhe pse do të bëj çmos që këto as të mos shprehen, por t’i shprehen presidentit në rrugë konfidenciale, nuk do të kenë lidhje fare me çfarë na kanë parë sytë e dëgjuar veshët deri pak kohë më parë..." a.n.
Add new comment